Shkruan: Arsim KASTRATI
Kryeministri aktual i Shqipërisë Edi Rama, në kohën e president Thaçi, është sjellë ndaj Kosovës si një vëlla i pakujdesshëm kurse, aktualisht nën udhëheqjen e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, si ndaj një shteti fqinjë!
Edhe sjellja e dyshes kosovare nuk është shembullore por, mbetet në suazat e raporteve vëllazërore edhe pse e pa takt dhe inatçore!
Mbase nuk është e tepërt të thuhet se, me teke e inate dhe me “gjetjen” e parakohshme të vëllezërve në bylykun e armikut, nuk ndihmohen çështjet shqiptare në Ballkan!
Hyrja në të ashtuquajturin “Ballkani i hapur” së bashku me Serbinë dhe RV të Maqedonisë dhe insistimi për kyqjen asimetrike të Kosovës në të, përkundër refuzimit të të gjitha partive politike kosovare, si dhe indiferenca “e bukur” ndaj procesit aktual të bisedimeve Kosovë-Serbi, janë dy fakte që e nxjerrin Shqipërinë vetëm si shtet fqinjë të Kosovës!
Mos ta gënjejmë veten se jemi faktor në rajon!
Edhe pse jemi disa milion shqiptarë në Ballkan, jemi të ndarë në 5 oborre e kushedi sa tabore dhe nuk paraqesim ndonjë faktor që ngjallë kushedi se çfarë konsiderate tek kombet tjera në Ballkan e më gjerë.
Qeveria shqiptare nuk do të duhej ta linte Kosovën vetëm, në këtë kohë kritike për fatet e saj!
Kur mund ta mbronte Serbinë në OKB e BE lidhur me presionin ndërkombëtar për dënimin dhe sanksionet ndaj Rusisë, pse po heshtë tani për presionin ndërkombëtar ndaj Kosovës, në bisedimet e saj me Serbinë?!
Mos të themi se jemi një kur me vepra jemi ndryshe! /2LONLINE/