OJQ “Gruaja Hyjnore”, mbështetur nga Komuna e Gjilanit vjen me një projekt të ri, ku në kuadër të saj parashihet edhe performanca artistike e titulluar “Drejt Paqes” , në regji të aktorit Qëndrim Kqiku, e që do të prezantohet në teatrin e qytetit në ditën botërore kundër dhunës.
Qëndrim Kqiku, aktor, ka bërë me dije se është pjesë e këtij projekti dhe se ndihet i lumtur që bashkë me talentët e rinj të qytetit po përgatisin një shfaqje që do të jepet me 25 nëntor në Ditën Kundër Dhunës ndaj grave, që është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e që me ktë do të shënohet edhe në Gjilan.
Ai tha se ky projekt ka për qëllim promovimin e artit pamor tek nxënësit e talentuar ku kësaj radhe viejnë përmes një performance artistike me skenar dhe regji të vet aktorit, Qendrim Kqiku.
Kqiku ka thënë se shfaqja për temë ka sfidat e adoleshentëve nëpër shkollat tona si dhe rrjedhimisht tregon historinë e një familje ku përdoret dhuna. Kjo shfaqje ka për mesazh parandalimin e dhunës ndaj gruas sepse ka pasoja të mëdha në familje, edhe te fëmijët.
Shfaqja “Drejt Paqes”, do të jepet me 25 nëntor në Teatrin e Qytetit në Gjilan dhe në të do të marrin pjesë nxënësit e përzgjedhur nga Audicioni që është mbajtur në Gjimnazin Natyror, kohë më parë, e ku përzgjedhja është bërë nga menaxherja e projektit, Arjeta Maka dhe aktori Qëndrim Kqiku.
Provat e shfaqjes në mbikëqyrje të aktorit Qëndrim Kqiku, tani më kanë filluar në Shtëpinë e Rinisë në Gjilan. Në këtë shfaqje pritet të luajnë: Donikë Sadiku, Eronit Sopi, Riga Korça, Dion Korça, Altina Demati, Elsa Sylejmani, Mirlinda Kastrati Anisa Abazi, Marigona Veseli, Linda Ismajli, Djellza Dema, Elita Kastrati, Egzon Bajrami.