Skenari i përgatitur i maskaradës mashtruese për qytetarët, e nxori në sipërfaqe “heroizmin”, injorancën shqiptare dhe lojën e dyfisht të lidershipit kosovarë, me ç’rast qytetarët e shikuan vetëm njërën anë e medaljes!
Shkran: florim Zeqa
Skenari i Dramës së 26 marsit 2018 u përgatit në Amerikë, shfaqja u prezentua në dy akte; akti i parë në Mitrovicë dhe akti i dytë në Prishtinë, ku rolet kryesore i luajtën Marko Gjuriq dhe Policia e Kosovës.
Për dallim nga aksioni policor i pakoordinuar Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës ROSU i 25 korrikut të vitit 2011 në veri të Kosovës, me ç’rast Hashim Thaçi e Shpend Maxhuni u kthyen nga veriu me “bisht nën shalë”, me një polic të vrarë dhe disa të plagosur, aksioni i datës 26 mars 2018, i koordinuar për mrekulli me palen serbe, respektivisht mes Thaçit e Vuçiqit rezultoi me “fitoren” e ROSU në veri dhe “nënshtrimin” e serbëve në plotni!
Pas përfundimit të dramës së 26 marsit 2018, aktori i përzgjedhur Marko Gjuriq mund të kandidoj për çmimin OSCAR, përderisa skenaristët mund të kërkojnë NOBEL-in (Hashim Thaçi është në pritje të këtij çmimi prej vitesh).
Inskenimi i mjerimit politik, dështim në rrafshin praktik
Sovraniteti i shtetit nuk mbrohet me arrestimin spektakular të gjuriqëve, por me kthimin e shqiptarëve në veri, të cilët janë zhvendosur dhe që 19 vite dhe jetojnë si refugjatë në jug të Mitrovicës dhe gjithandej Kosovës.
Arrestimi i Gjuriqit ishte mashtrimi më klasik për zhvendosje të vëmendjes nga Demarkacioni me Malin e Zi, i cili Kosovës i kushtojë me humbjen e 8230 hektarëve tokë shqiptare të larë me gjak ndër shekuj.
Vetëm kthimi i shqiptarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre në pjesën veriore nënkupton shtrirjen e sovranitetit në veri, e jo maskaradat mashtruese të Vuçiqit dhe Thaçit nën bekimin e ndërkombëtarëve.
Sikurse herave të tjera, edhe kësaj radhe pas “komedisë” së fundit me Gjuriqin, kishte edhe të atillë që tentuan të përfitojnë për qëllime politike për marrjen e pushtetit, duke shpresuar në rënjën e shpejtë të kësaj qeverie, apo kushtëzimit të qeverisë aktuale pas paralajmërimit për largim nga qeveria të Listës “Srpska”!
Në këtë rast, nuk mungoi as gatishmëria e LDK-së për ta “ndihmuar” Haradinajn për mbajtjen e pushtetit, duke harruar se kartat e pushtetit nuk janë në dorën e Haradinajt por të dikujt tjetër!
LDK-ja, patericë e partive të vogla nuk e ndihmon shtetin
Një LDK çfarë është aktualisht, e kapur nga klani “RIINVEST” dhe grupet e tjera të interesit, pa u reformuar dhe konsoliduar mirë nuk duhet të kthehet tutje në qeverisjen e vendit.
Hipokritët e lakmitarët e pushtetit në LDK, një herë kërkojnë largimin e qeverisë, ndërsa herën tjetër bashkangjitjen së njëjtës qeveri!
Nga shkuarja në amshim e liderit historik Ibrahim Rugova, LDK-së i ka humbur busulla orientuese, e cila herë “kapet” e herë “ç’kapet” me SHIK-un e PDK-në!
Është pikërisht kjo LDK-ja që ka miratuar të gjitha marrëveshjet e dëmshme dhe fatkeqe për vendin të Hashim Thaçit, duke e humbur në plotni besimin tek elektorati kosovar, duke mbetur “as mish dhe as peshk” për qytetarët!
Me largimin nga vizioni rugovian, besa dhe traditat vlerëmëdha të këtij subjekti politik, ka bërë që të irritohen shumë nga veprimtarët më besnik të saj si në Kosovë ashtu edhe në Diasporë.
Nëse ndodh që LDK-ja t’i bashkohet edhe AAK-së në qeverisje me PDK-në, jo në patericë, por do të shndërrohet në prostitutë të politikës kosovare, gjë e cila do të paraqiste poshtërimin më të madh për votuesit e saj.
Konstatim ky sa i rënd, po aq i dhimbshëm, ngase politikanët që shiten për para dhe privilegje pushteti nuk meritojnë kualifikim ndryshe prej prostitutave.
Prandaj, qytetarët si asnjëherë më parë, e kanë të vështirë t’i besojnë tutje kësaj LDK-je të kapur e katandisur keq nga lakmitarët e pushtetit!
Kur jemi në këtë segment, m’u kujtua pyetja e një miku gjatë këtyre ditëve; “A ka Kosova intelektualë për t’ua ndal hovin matrapazëve politikë!?”
Intelektual ka me bollekë, por nuk po duan të identifikohen me këtë klasë politike të shantazhuar, korruptuar dhe kriminalizuar deri në fyt, ishte përgjigja ime.
Shoqëria kosovare, ende e pafuqishme për të reaguar
Popullata kosovare nga pritjet e gjata sikur ka kaluar në agoni të thellë. Ka mbyllur sy e vesh përballë korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kusarët politikë në të dyja nivelet e qeverisjes (qendrore dhe lokale) për interesa shumë të ngushta grupore e klanore, edhe pse po e shkatërrojnë shtetin në embrion, shoqëria kosovare vazhdon të heshtë!
Degradimi dhe qeverisja e inkriminuar që po i ndodh vendit për gjithë këto vite të pasluftës është një shtresim i madh dhe i rrezikshëm për vendin nga politika kosovare, pozitë e opozitë, që është bërë si opium për shoqërinë e nëpërkëmbur kosovare, e të cilën e ka duruar dhe po e duron tepër shumë ky popull i pashpresë dhe i nënshtruar, të cilit i ka hipur në qafë, duke e shkatërruar vendin me korrupsion e krim të organizuar.
Kasta politike kosovare, pozitë dhe opozitë së bashku, përveçse një opium për shoqërinë e varfër e të nëpërkëmbur kosovare, janë shndërruar në sindromë kancerogjene të shtetit të Kosovës.
Deri më sot, nuk më ka rënë të dëgjoj për ndonjë vend tjetër, të ketë ndodhur një hipnotizim i skajshëm i shoqërisë nga politika siq ka ndodhur në këtë 10 vjetëshin e fundit në Kosovë!
Çdo vend e ka qeverinë që e meriton
Një fjalë e urtë italiane thotë: “Kush nuk di me qeverisë është uzurpator”, por një thënie tjetër italiane thotë: “Çdo vend e ka qeverinë që e meriton”. “Kur jemi në këtë segment, tek gjendja e krijuar në Kosovë, na del përpara thënia e të madhit dhe të pavdekshmit, profesorit Fehmi Agani; “Koha sjell çka investojmë ne dhe sa arrijmë ne në kohë”. Thënë edhe më qartë për lexuesit, gjendja kaotike dhe e pashpresë në vendin tonë është rezultat i heshtjes së gjatë të shoqërisë kosovare.
Mbase është momenti i fundit që të këndellet popullata, për t’i dhënë goditjen e fundit kësaj klase të shëmtuar politike, e cila, përveç vjedhjes së pasurisë shtetërore, e ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e shtetit.
Vetëm zgjimi i ndërgjegjes së pastër kombëtare dhe i angazhimit të intelektualëve të mirëfillt në politikbërjen kosovare mund ta nxjerrë vendin nga kthetrat e kusarëve politikë të të gjitha llojeve e ngjyrave.
Ndryshe, e kemi të rrezikuar të ardhmen dhe ekzistencen e vet shtetit me fitore të rrejshme të pushtetarëve, të cilat pashmangshëm po e dërgojnë shtetin drejt humbjes përfundimtare!