Edhe pse ishte një sezon me pandemi, ku pati edhe ndërprerje të lojrëva dhe të ushtrimeve të parapara, megjithate me angazhim e duke respekuar rregullat e porositë e ekspertëve për pandeminë, në këtë sezon u zhvilluan të gjitha ndeshjet e ligës së tretë futbollistike të Republikës së Kosovës.
/Genc Tafili /
Ekipet dhe futbollistët patën paraqitje shumë të mirë duke treguar edhe rezultate të mira sa i perket kësaj lige, si në lojën e mirë si në disiplinë, referim e ngritje të profesionalizmit të lojsë së futbollit. Në këtë sezon në vendin e parë u radhit KF “Kosova” e Prishtinës, duke u pasuar nga KF “Hajvalia”, ndërsa vendin e tretë e zuri KF “Illyria Utd “.
KF “BASHKIMI 1941” përmbyll sezonin me fitore
Në kuadër të kësaj lige, edhe KF “Bashkimi 1941” pati paraqitje të mirë, në të gjitha lojërat e zhvilluara, por të shumtën e herave nuk i buzqeshi fati që të jetë në radhitje në pjesën e sipërme të tabelës. Në këtë rezultat ndikuan situata e krijuar nga pandemia, pastaj pamundësia e stërvitjeve në kontiunitet, mungesa e sponëzorëve etj. Por megjithatë, lojtarët dhe stafi dhanë gjithçka nga vetja për të përfaqsuar denjësisht fanelën e klubit futbollistik më të vjetër në Gjilan.
KF “Bashkimi 1941” i Gjilanit, në javën e fundit të sezonit vjeshtor, përkatësisht, të hënën, më 02. 11. 2020, në ndeshjen që pati me KF “Kastrioti” nga Ferizaji shkëlqeu, duke e mundur kundërshtarin me 6:1.
Ndeshja u zhvillua në qytetin e Gjilanit nga ora 14:00 në kushte të mira atmosferike, të mos themi ideale. Për KF “Bashkimi 1941” në fushë u paraqitën: në portë portieri i jashtëzakonshëm Lorik Ramadani; në mbrojtje: Kushtrim Nevzadi, Bujar Azizi, Miran Berisha dhe Granit Bajraliu; mesfusha ishte e përbërë nga Arben Azizi, Islam Ramadani, Lirim Ymeri dhe kapiteni Driton Imeri; në sulm ishte dyshja Leutrim Imeri dhe Rijad Sopi, ndërsa në bankën e rezervistëve prisnin Arbnor Shala dhe Arlind Ramadani.
Kryetrajneri Ahmeti, nga lojtarët kërkoi, me çdo kusht, fitore këtë radhë, pasi këtë gjysmësezon KF “Bashkimi 1941”nuk kishte pasur rezultate të mira, për kundër lojës së mirë që e kanë zhvilluar lojtarët.
Kështu, kërkesa e kryetrajnerit e vendosmëria e lojtarëve, u arrit që në minutën e 7-të, KF “Bashkimi 1941” të shënojnë gol. Pas këtij goli ndeshja u dominua plotësisht nga gjilanasit.
Loja e mirë, e shpejt e me taktikë solli rezultatin për fundimtar 6-1 në favor të klubit KF “Bashkimi 1941”. Tre gola u shënuan nga Leutrim Imeri duke kompletuar hettrikun, dy nga sulmuesi Rijad Sopi dhe i fundit nga kapiteni dhe lideri në fushë i nikoqirëve -Driton Imeri. Kjo fitore ishte e mirëseardhur për gjilanasit në këtë fund të këtij sezoni, sepse ngrit radhitjen në tabelë dhe rrit moralin e lojtarëve për lojë në sezonën e ardhshme.
Kryetrajneri Ahmeti duke përmbyllur sezonin , ndër të tjera tha se: ishte i kënaqur me performancën e klubit, me angazhimin e madh nga të gjithë anëtarët e klubit gjatë tërë sezonit, përkundër sfidave në këtë rrugëtim, përkundër ngritjeve e uljeve që ka pasur klubi. Ai bëri të ditur se në pranverë, kur të fillojë gjysmësezoni i dytë, pritet të vijnë përforcime të reja. Kështu, me përforcime, me organizim e stërvitje të mirë, ashtu siç i ka hije, KF “Bashkimi 1941” do të synoj hyrjen në ligën e dytë e pse jo edhe në Superligë. /2LONLINE.com/