Kamberi thotë se Vuçiqi po e shantazhon me arrestim pas fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë

Kamberi thotë se Vuçiqi po e shantazhon me arrestim pas fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se presidentin serb, Aleksadar Vuçiq, po e shantazhon me arrestim.

Kamberi e ka këshilluar Vuçiqin që të merret më shumë me nevojat e qytetarëve në Serbi dhe mos të merret me metafora të arrestimeve.

Deputeti shqiptar e ka quajtuar të gjithëpushtetshëm presidentin serb, për çka ka thënë me ironi se i ka të gjitha mundësitë për t’i realizuar premtimet për Serbinë demokratike, që sipas tij e tregon përbërja në parlament.

Më tej Kamberi, thotë se presidenti serb keqperdorë serbët në Kosovë për për interesat e pushtetit në Beograd.

Në ditën kur është votuar qeveria, në Kuvendin e Serbisë, Kamberi ka mbajtur një fjalim ku kishte akuzuar pushtetin në krye me Aleksandar Vuçiqin se nuk dallon me atë të Slobodan Milosheviqit, pastaj ka kujtuar krimet serbe në Kosovë e shumë padrejtësi tjera ndaj shqiptarëve.

Shkrimi i plotë i Kamberit:

Në vend se të më shantazhoi me metafora të arrestimeve, më mirë do të ishte që Presidenti Vuçiq t’i përgjigjet nevojave të shumta të qytetarëve në Serbi që varen nga vendimet e tij.

Si i gjithëpushtetshëm, ka mjaft mundësi për t’i realizuar premtimet e tij për një Serbi demokratike dhe të zhvilluar ekonomikisht.

Se sa është demokratike Serbia e pushtetit të sotëm, mjafton ta shikosh përbërjen e parlamentit.

Meqë Kosova qenka e tillë siç e përshkruajnë, pse atëherë Presidenti Vuçiq dhe Ana Bërnabiq trumbetojnë me vite se po e ndërtojnë pajtimin dhe paqen me Kosovën?

Politika e (keq)pëdorimit të serbëve të Kosovës për interesat e pushtetit në Beograd nuk i ka sjellur historikisht asnjë dobi serbëve në Kosovë.

Nga jeta luksoze e Beogradit, lehtë është me luajtur patriotin serbomadh dhe me manipuluar me emocionet e serbëve të Kosovës, të cilët bashkëjetojnë me shqiptarët jo gjithëherë në kushte të lehta reciproke.

Por, për presidentin Vuçiq, nuk është si duket e pranueshme të hyjë në dialog me serbët që dëshirojnë të udhëheqin politikë të pavarur. Mjafton të dëgjosh ata serb që nuk janë të kapur nga partia-shtet e Beogradit.

Sa i përket negacionit të Reçakut asgjë e re. Pjesë përbërëse e kësaj politike negacioniste dhe e mohimit të krimeve të luftës, e cila nuk i sjell asgjë të mirë rajonit, e aq më pak Serbisë.

Ky mohim dhe negacionizëm nuk i shërben pozitivisht para së gjithash serbëve të cilët jetojnë në Kosovë.

Por, natyrisht se Presidenti Vuçiq e ka hallin te imazhi dhe pushteti i tij në Beograd, jo te interesat e serbëve që jetojnë në Ranillug, Shterpcë apo Leposaviq.

BURIMI: Titulli.com

KOMENTE