Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e 18-të me radhë në të cilën është prezantuar puna 100 ditore e Qeverisë, bazuar në programin qeverisës, të arriturat kryesore dhe vendimet që janë marrë.
Në fjalën hyrëse Kryeministri Kurti para kabinetit qeveritar vlerësoi se suksesin duhet matur jo me sa mirë po qeverisim në krahasim me qeveritë e kaluara, por se sa mirë po qeverisim në krahasim me pritjet e qytetarëve.
“Qytetarët e dinë se qeveritë e mëparshme nuk krahasohen me këtë qeverinë tonë që i ka ministrat e përgatitur e të ditur, të pakorruptuar e të përgjegjshëm. Gara jonë është me të ardhmen jo me të kaluarën e këto janë 100 ditët e kthesës drejt zhvillimit,” tha ai.
Në këtë mbledhje, në të cilën u bë prezantimi i punës 100 ditore të Qeverisë, përveç Kryeministrit Kurti, edhe zëvendëskryeministrat dhe ministrat e resorëve përkatës kanë prezantuar në mënyrë më të detajuar të arriturat kryesore të ministrive, duke vënë në pah një numër të madh vendimesh, marrëveshjesh dhe rezultatesh në fusha të ndryshme. /2LONLINE.com/