Zyrafete SHALA
Mbi librin “Shprushje nëpër vargjet që nuk zbehen”
( Libri u botua nga SHB “Beqir Musliu” Gjilan, 2023 )
Libri “Shprushje nëpër vargjet që nuk zbehen”, përmbledh në vete shkrime kritike për poezinë e Rexhep Elmazit, poetit të cilit fati tragjik nuk i dha mundësinë të përfundojë ciklin e tij krijues. Është pikërisht ky fat tragjik, që sa herë të përmendet emri i poetit, na bën që t’i shohim në një marrëdhënie simbiotike jetën dhe krijimtarinë letrare. Kur flet për fatin e shkrimtarit dhe relacionin e tij me regjimin, shkrimtari kubanez, Reinaldo Arenas, thotë se: “Regjimet, kryesisht ato totalitare, përdorin dy mënyra për t’i shkatërruar shkrimtarët: ose i persekutojnë, ose i mbushin me përfitime dhe privilegje zyrtare”. Në rastin e Rexhep Elmazit jo vetëm që u përdor persekutimi nga ana e pushtetit, por u realizua versioni më kapital i tij, likuidimi fizik. Për më tepër u bënë përpjekje që të zhduken edhe të gjitha gjurmët e krijimeve të tij të mbetura në dorëshkrim. Mirëpo, përkundër përpjekjeve nuk u arrit asnjëherë të likuidohet emri i poetit, e as të zbehet poezia e tij dhe vlerat që ajo ngërthen në vete. Ky fakt doemos na sjell në kujtesë aq e aq shembuj të shkrimtarëve, jeta e të cilëve si qenie njerëzore qe jo më shumë se një shkreptimë ditëshkurtër, por jeta letrare tyre, kaherë ka arritur të zërë vend në vlerat e përjetshme të qytetërimit të përbotshëm.
Në librin “Shprushje nëpër vargjet që nuk zbehen” janë përmbledhur rreth njëzet shkrime kritike mbi vargjet e poetit Rexhep Elmazi, shkrime këto që u takojnë periudhave të ndryshme kohore, duke filluar nga viti 1972, kur u botua vëllimi i tij i parë me poezi e deri në vitin 2023. Me këtë botim, mendoj se në një mënyrë, është përplotësuar (për të mos thënë përmbushur) tabloja prezantuese e veprës së Rexhep Elmazit përpara lexuesit. Duke i pasur në dispozicion dy vëllimet e tij me poezi “Frymëmarrje’ (botuar nga Rilindja në vitin 1972) dhe “Fryma” (Rilindja, 1993), pastaj studimin “Poezia e Rexhep Elmazit” (QRTK, 2008), të Tahir Arifit, vëllimin “Psherëtima shiu” (“Beqir Musliu”, 2018) me poezi të zgjedhur nga Anton Nikë Berisha dhe së fundi “Shprushje nëpër vargjet që nuk zbehen”, përgatitur dhe përzgjedhur nga Sabit Rrustemi, lexuesit i ofrohet një portret mjaft i plotë krijues, që jep mundësinë për të depërtuar në esencën e poetikës së Rexhep Elmazit.
Shkrimet e përmbledhura në këtë libër janë të autorëve të ndryshëm, poetë, studiues të letërsisë, kritikë letrarë e shkrimtarë, gjithsesi, të dëshmuar në fushat përkatëse, madje disa prej tyre vlerësohen ndër pendat më të njohura në letrat shqipe. Si një shumësi zërash e qasjesh të shkruara në një hark kohor pesëdhjetëvjeçar (1972-2023) këto shkrime ndriçojnë aspekte të ndryshme të krijimtarisë së Rexhep Elmazit dhe shqiptojnë ato vlera që e kanë mbajtur të gjallë dhe të freskët këtë poezi për gjysmë shekulli. Për t’u dhënë më shumë hapësirë vlerave estetike dhe për t’u shmangur nga të dhënat me natyrë tjetër, vlen të përmendim fillimisht shkrimet që janë publikuar gjatë kohës sa poeti ishte gjallë, më saktësisht me rastin e botimit të vëllimit “Frymëmarrje” (1972). Shkrimi më i hershëm është “Për shokun tim që këndon”, i Jusuf Gërvallës, botuar në Flaka e Vëllazërimit më 20 shtator 1972, që e vlerëson Rexhep Elmazin si krijues me individualitet të formuar poetik, vargjet e të cilit dëshmojnë një nivel të lartë të poezisë sonë, ndër më origjinalet që ka letërsia shqipe. Gjithashtu, Gërvalla vë dukje edhe guximin e R. Elmazit dhe disa poetëve të tjerë të brezit të tij, për të eksploruar në terrenin e poezisë, për t’i thyer normat etj. (f. 52) Më tutje, Ali Aliu në shkrimin “Fryma tokësore e një poezie” botuar më 1973 në Rilindja, ai e vlerëson Rexhep Elmazin për vargun stabil, për shprehësinë me figurshmëri precize e të qartë, zërin individual, urtinë dhe thellësinë e mendimit në varg. (f. 45)
Vlen të theksohet se, diku mes rreshtave Gërvalla lë të kuptohet se poezitë e vëllimit “Frymëmarrje” nuk i kanë përmbushur pritshmëritë e tij, duke u nisur nga vlerësimi që ka pasur për to kur janë botuar në Zëri i Rinisë dhe Jeta e Re. Këtë mospërmbushje të pritshmërive e thekson, por në mënyrë më të hapur, edhe Ali Aliu në shkrimin “Fryma tokësore e një poezie” botuar më 1973 në Rilindja. Ai shprehet se ka një zbehje të përshtypjeve të krijuara më herët nga poezitë e botuara në “Jeta e Re”, mirëpo këtë e arsyeton tërthorazi me faktin që jo të gjitha poezitë e njohura paraprakisht nga lexuesit janë përfshirë në këtë vëllim, gjë që na shtyn të besojmë se poezitë i janë nënshtruar censurës. (f. 44) Një vit më pas, Teki Dërvishi në shkrimin botuar te “Flaka e Vllazërimit” më 1974, (gjithashtu mbi vëllimin “Frymëmarrje”) vë theksin te elementi folklorik, si veçori e krijimtarisë së R. Elmazit, madje ky element shfaqet jo vetëm në rrafshin gjuhësor, por edhe atë refleksiv, filozofik, meditativ e metaforik. Sipas tij, poezitë e Rexhep Elmazit shquhen për origjinalitet, për lidhjen e fuqishme me trashëgiminë kombëtare, për shmangien e estradizmit e parullave ditore, dhe mbi të gjitha për mishërimin e njeriut tonë në fjalën poetike. (f. 49).
Megjithëse shumë nga vështrimet mbi poezinë e Elmazit, të botuara pas vrasjes së tij, nuk arrijnë t’i shmangen tundimit për t’i tejkaluar kufijtë e vlerësimit letrar, janë një varg vështrimesh që i bëjnë trajtim serioz aspekteve më të rëndësishëm të poezisë së Rexhep Elmazit dhe që janë përfshirë brenda librit “Shprushje nëpër vargjet që nuk zbehen”. Nga shkrimet e tilla që i takojnë periudhës së ringjalljes së poetit, në vitet ‘90, duhet veçuar doemos vështrimin e Ramadan Musliut, “Torzioni poetik i Rexhep Elmazit” ku krahas analizës së detajuar të poezisë së Rexhep Elmazit, paraqitet edhe rrugëtimi drejt formimit dhe evoluimit të Elmazit si poet. Kjo trajektore, sipas Musliut, nis nga klisheu oral dhe nga modeli folklorizues i perceptimit artistik, për të kaluar në fazën ku rrëfimi lirik çlirohet nga forma e paraqitjes syzheike të problemit, për t’u orientuar drejt kontemplacionit lirik që si pikënisje e kompozicionin subjektiv. (f.22)
Në shkrimin “Poezi që përjetëson kohën kur u krijua”, Profesor Anton Berishaj, (parathënien e përzgjedhjes “Psherëtima shiu”) si çështje kryesore që dalin nga poezia e Rexhep Elmazit thekson: rëndësinë që poeti i jep poezisë si art dhe ndikimi që ajo ka në marrësin. Ai e krijon poezinë si dëshmi të prehjes shpirtërore dhe e përcjellë atë te lexuesi për të shkaktuar tek ai ngushëllimin shpirtëror, apo katarsën. – thotë prof. Berishaj (f. 26) Ndërsa, Meti Rexhepi në shkrimin “Poezia që thyen grilat e heshtjes” përveç që sjell një sintezë të asaj që është thënë përgjatë katër dekadave për Elmazin dhe poezinë e tij, bën edhe një përimtim të aspekteve themelore të poetikës së Rexhep Elmazit, ku veç tjerash thekson se shtyllat konceptuale të poezisë së tij janë vuajtja, domosdoja dhe lufta, që të trija krijohen si derivate të konceptit madhor At-Dhè (f. 110) Çështja e eklipsimit të poetit nga nami i atdhetarit, përmendet fillimisht nga profesor Berishaj, por më tej e shtjellon edhe Tahir Arifi në shkrimin e tij (R. Elmazi – midis poetit dhe atdhetarit). Sipas tij, modelit atdhetar të Rexhep Elmazit, natyrshëm duhet t’i bashkohet edhe modeli krijues, ngase sado që arriti tek ne i përgjysmuar, zëri i tij poetik është i veçantë, gjë që mund të dëshmohet me një qasje pak më serioze ndaj krijimtarisë së tij.
Në krijimin e tablosë gjithëpërfshirëse të trajtimit të poezisë së Rexhep Elmazit natyrisht, por edhe personalitetit të tij kanë dhënë ndihmesë edhe shkrimet e disa autorëve të tjerë. Rushit Ramabaja i bën një vështrim krijimtarisë së Elmazit, duke e ndarë atë sipas stinëve krijuese të jetës së tij të shkurtër (stina e djalërisë, stina e stabilitetit dhe ajo e pjekurisë). Shefqet Dibrani e vlerëson Elmazin si poet të lirikave të ndjeshme për njeriun e këtij nënqielli por edhe për dashurinë, Ukshin Zajmi sjell të dhëna mbi poezinë atdhetare dhe veprimtarinë atdhetare të Elmazit, Sherafedin Kadriu fokusohet në semantikën e poezive të fundit të Elmazit, Arsim Halili që trajton vetminë, Kaltrinë Berisha trajton konceptin e dhembjes, ndërsa disa shkrime përqendrohen në analizën e një poezie. Si shembull, poezia e Rexhep Elmazit, “Borxhi ynë” është objekt analize i dy prej shkrimeve të përfshira në librin “Shprushje nëpër vargjet që nuk zbehen”. Shefik Shkodra (I ngujuar në oborrin e vetmisë, 2004.) e vlerëson si testament të R. Elmazit, testament ky i materializuar nga dhuna e dufi i vulosur me përvojë. Për më tepër Shkodra thekson se këtë ligjërim poetik estetik mund ta mbajnë pranë vetes të gjithë, sot e nesër, përderisa të ketë nevojë. (f. 84) Ndërsa për të njëjtën poezi, Jakup Ceraja jep një mbresë meditative si sqarim të rrethanave në të cilat lindi ajo. Më tej, Nexhat Rexha sjell një lexim serioz analitik të poezisë Sfinga, ndërsa Agim Vinca për poezinë “Xhemë Sadrija”,
Një natyrë krejtësisht tjetër kanë dy shkrimet me të cilat hapet libri, “Kujtesa që nuk zbehet” (parathënia e Sabit Rrustemit) dhe “Tri vrasjet e poetit dhe ringjallja katër” i Beqir Musliut, që japin kryesisht përmasat e jehonës që la prapa Rexhep Elmazi si njeri dhe si krijues, por edhe zbrazëtinë fizike në rrethin e njerëzve që e vlerësuan.
Në përgjithësi, këto shkrime e trajtojnë krijimtarinë e Rexhep Elmazit si një vepër të papërfunduar, të ndërprerë, të humbur, por që në atë pjesë që ka arritur t’u qëndrojë rrjedhave të kohës, vërehet që Elmazi ishte një krijues me dell të veçantë krijues, me koncept të qartë për krijimin, me shtytje për të depërtuar në thellësi dukurive dhe realitetit, me prirjen për të evoluuar në aspektin filozofik të perceptimit të botës dhe rrafshin estetik të transponimit të përjetimeve në varg.
Libri “Shprushje nëpër vargjet që nuk zbehen”, vë në dukje praninë e Rexhep Elmazit në jetën letrare, duke e theksuar edhe njëherë triumfin e tij, vazhdimësinë e të jetuarit si krijues, pavarësisht që jeta e tij qe e shkurtër dhe pavarësisht që armiku u përpoq ta zhbënte veprën e tij, për më tepër ky libër hap shtegun e studimeve të mëtejme mbi poezinë e Rexhep Elmazit. /2LONLINE/