Drejtoria për Buxhet dhe Financa në bashkëpunim me Kuvendin Komunal kanë mbajtur dëgjimin për Projekt-Buxhetin për vitin 2024 me HANDIKOS, Kryqi i Kuq, OJQ-të Kulturore, Klubet Sportive.
Pjesëmarrës në këtë dëgjim ishin: Drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Ardita Dërmaku, Zyrtari Kryesor Financiar, Naser Hashani, zyrtarë të tjerë komunal përgjegjës për mbajtjen e dëgjimeve buxhetore, përfaqësues të HANDIKOS, përfaqësues të Kryqit të Kuq, përfaqësyes të OJQ-ve.
Drejtoresha Ardita Dërmaku ka hapur këtë dëgjim duke prezantuar buxhetin për vitin 2024.
“Arsyeja kryesore e këtij takimi është që përmes juve t’i marrim projektet prioritare që mendoni se janë të rëndësishme për juve si OJQ dhe ato më me prioritet t’i vendosim në listën e projekteve për vitin 2024. Ne krahasuar me vitin 2023 kemi rritje prej 17,48% për vitin 2024. Do të kemi rritje edhe në investime kapitale ka rritje rreth 100%, si dhe në subvencione kemi rritje në 650 mijë. Pjesa e subvencioneve ju intereson juve ndoshta edhe më shumë”, ka thënë ajo.
Kërkesat që HANDIKOS dhe Kryqi i Kuq paraqitën kishin të bëjnë me: ndërtimin e pjerrinave në institucione për qasje më të lehtë për personat me aftësi të kufizuara, pajisjen me mjete ortopedike për këta persona, rregullimin e objektit të këtyre personave, pastaj rregullimi i garazhës për Kryqin e Kuq, mirëmbajtje të objektit të Kryqit të Kuq, sigurim të fondeve për derivate në mënyrë që të shpërndahen pakot ushqimore apo gjërat e tjera tek familjet në nevojë, dhe kërkesa të tjera të cilat janë evidentuar në procesverbal. /2LONLINE/