Drejtoria për Buxhet dhe Financa në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Kamenicës kanë mbajtur dëgjimin e parë me qytetarë për Projekt-Buxhetin për vitin 2024 me pronarë të bizneseve.
Të pranishëm në këtë takim ishin: Drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Ardita Dërmaku, Drejtoresha e Administratës, Arlindë Sejdiu, zyrtari Naser Hashani, zyrtarë të tjerë komunal përgjegjës për mbajtjen e dëgjimeve buxhetore, dhe pronarë të bizneseve.
Drejtoresha Ardita Dërmaku ka hapur këtë dëgjim ku kërkoi nga pronarët e bizneseve të paraqesin nevojat e tyre në mënyrë që ato të cilat janë më prioritare t’i vendosin në listën e projekteve.
“Arsyeja kryesore e këtij takimi është që ju ta keni mundësinë që në mënyrë personale t’i paraqitni problemet me të cilat ju ballafaqoheni çdo ditë. Ju sot e keni mundësinë t’i paraqitni projektet që mendoni se janë të rëndësishme t’i vendosim në listën e projekteve për vitin 2024. Buxheti për 2024 është më i rritur sesa për vitin 2023.Ka një rritje prej 17,48% krahasuar me vitin 2023. Do të kemi rritje edhe në investime kapitale, si dhe në subvencione. Kjo rritje është e mirë që ju sidomos përmes subvencione të përfitoni si biznese”, ka thënë ajo.
Kërkesat që pronarët e bizneseve paraqiten kishin të bëjnë me: ndalimin e lejeve të separacioneve, ku sipas tyre do të duhej komuna të intervenonte tek niveli qëndror pasi që janë duke iu dëmtuar bizneset pa punë. Ndër të tjera u kërkua që këtyre pronarëve që merren me separacion t’u lejohet që të pastrojnë lumenjët dhe në këtë mënyrë do të paguheshin edhe taksat komunale më shumë por edhe do të punësoheshin më shumë qytetarë.
Të gjitha kërkesat e tyre u evidentuan dhe ato më me prioritet do të inkorporohen në projekt buxhet. /2LONLINE/