Drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa e Komunës së Kamenicës, Ardita Dërmaku, ka mbajtur dëgjimin buxhetor me Grupin e Grave.
Në këtë takim të pranishëm ishin: Drejtoresha e Drejtorisë së Administratës, Arlindë Sejdiu, Koordinatorja për të Drejtat e Njeriut, Nazije Demolli, Zyrtarja për Barazi Gjinore, Teutë Kastrati, zyrtarë të tjerë komunal përgjegjës për mbajtjen e dëgjimeve buxhetore, gra nga fshatrat për rreth, OJQ dhe të tjerë.
Drejtoresha Ardita Dërmaku ka hapur këtë dëgjim, ku ka thënë se pjesëmarrja e grave ka rëndësi të vecantë, pasi që mund t’i shprehin lirshëm kërkesat e tyre.
“Ju mund t’i paraqitni projektet, propozimet për lokalitetet ku ju jetoni. Ne pastaj ato kërkesa do t’i shqyrtojmë një nga një dhe ato që janë më të rëndësishme do t’i fusim në listën e projekteve për vitin 2024. Kështu kemi punuar edhe vitin e kaluar mirëpo me gra kemi organizuar vetëm një dëgjim. Këtë vit e kemi paraparë të zgjerojmë rrethin dhe të vijmë ne këtu dhe në lokalitete tjera t’i dëgjojmë gratë. Ne sot do t’i marrim kërkesat tuaja ku do t’i shqyrtojmë dhe do t’i paraqesim në buxhetin e vitit 2024. Kemi një rritje të buxhetit prej 17,48% krahasuar me vitin 2023, saktësisht 14 milion e 546 mijë e 545 euro është për vitin 2024″, ka thënë ajo.
Kërkesat që gratë paraqiten kishin të bëjnë me: rregullimin e ujësjellësit, shenjëzimin e rrugëve, vendosjen e pengesave në rrugë, shtiqe për ecje, largimin e mbeturinave të ngurta, çerdhe, asfaltim të rrugëve, kanalizim.
Të gjitha kërkesat e tyre u evidentuan dhe ato më me prioritet do të inkorporohen në projekt buxhet,thuhet në njoftim. /2LONLINE/