Drejtoria për Zhvillim Ekonomik-Gjilan
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik sot ka mbajtur takimin e parë për Hartimin e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal 2024 -2031.
Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR), Komuniteti i Biznesit (GRBC), Oda Ekonomike -zyra rajonale në Gjilan, Qendra e punësimit-Gjilan ,Qendra për Aftësim Profesional-Gjilan, Shoqëria Civile, Agjensia për Zhvillim Rajonal –Lindje (AZHR), , Drejtorë të Drejtorive Komunale dhe përfaqësues të partive politike.
Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik z.Enver Shabani filloi këtë takim duke i falenderuar të gjithë pjesëmarrësit për prezencën e tyre dhe gatishmërinë për të qenë pjesë e Grupit Punues për hartimin e këtij dokumenti strategjik.
Hartimi i Strategjise është iniciativë e DZHE e cila do të realizohet në kuadër të përpjekjeve jo vetem për të përmbush kërkesat ligjore por edhe për të arrit një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik lokal të Komunës tonë.
Ku pas vendimit për grupin punues për Hartimin e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal të emëruar nga Kryetari i Komunës së Gjilanit z. Alban Hyseni hapet rruga për krijimin e një dokumenti strategjik, ambicioz duke përfshirë të gjitha nevojat për vitet e ardhshme.
Kjo strategji e cila do të hartohet bashkarisht ka për synim përdorimin në mënyrën më efektive dhe efikase të mundshme të burimeve njerëzore, natyrore, sociale, institucionale, financiare si parakusht për të krijuar një mjedis miqësor për qytetarët tanë, si dhe një mjedis të favorshëm për krijimin e bizneseve të reja dhe zhvillimin e atyre ekzistuese, krijimin e vendeve të reja të punës dhe tërheqjen e investimeve duke ndikuar në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik si bartëse e këtij procesi bashkërisht me grupin punues u zotuan se do të angazhohet maksimalisht për ndërtimin e një programi të qartë zhvillimor në përcaktimin e prioriteteve të zhvillimit ekonomik lokal, dhe në sigurimin e mbështetjes së plotë të komunitetit te biznesit. /2LONLINE/