Në kazermën ,,Adem Jashari” të FSK-së, nga data 16-20.04.2018, është mbajtur punëtoria e gjashtë e sigurisë kibernetike, realizuar nga oficerë të Gardës Ajrore Kombëtare të Iowa-s-të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në punëtori morën pjesë 17 oficerë dhe nënoficerë nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në ceremoninë përmbyllëse të pranishëm ishin: Komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Enver Cikaqi, nënkoloneli Lawrence Yazzie, majori William McElvain nga Garda Ajrore Kombëtare e Iowa-s, dhe shefi i Departamentit të G6-të të KFT-së, nënkolonel Gyrner Murati, i cili në hapje të këtij aktiviteti, shpjegoi në pika të shkurta ngjarjet që janë realizuar gjatë gjithë javës në fushën e mbrojtjes kibernetike.
Komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, në emër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, falënderoi të pranishmit dhe në veçanti oficerët dhe nënoficerët nga Iowa, për bashkëpunimin dhe ndihmën që po japin për ngritjen dhe profesionalizimin e pjesëtarëve të FSK-së, si dhe për mbështetjen e pakursyer të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe personalisht gjeneralit Timothy Orr, tha: “U jemi mirënjohës për punën tuaj, për atë që po bëni duke bartur përvojat tuaja tek pjesëtarët tanë, duke shkëmbyer përvojat në aspektin e mbrojtjes kibernetike, ju keni ndihmuar FSK-në, në ngritjen e një aseti mjaft të rëndësishëm, që për ne është fushë e re”. Duke iu drejtuar pjesëtarëve të sapo certifikuar, gjeneral Cikaqi, tha: “ju jeni bartës të këtij aseti, dhe me që, jemi afër realizimit të ushtrimit fushor ,,Shqiponja 6”, kërkoi nga ju, që mësimet e mësuara nga e kaluara dhe trajnimet e mara tani, të jeni sa më profesional në realizimin e ushtrimit të tanishëm”.
Ndërsa, nënkoloneli Yazzie, bëri një prezantim të punës së përbashkët gjatë kësaj jave, duke falënderuar për mirëpritjen, që ju është bërë në Kosovë , e veçanërisht në FSK. Ai, me këtë rast, tha: ,,zoti gjeneral, ju keni një staf shumë të përgatitur dhe profesional. Ne kur kemi filluar bashkëpunimin në këtë fushë, kemi bërë dy vizita në vit, dhe këto vizita kanë ndikuar shumë në ngritjen e sigurisë dhe hapat që janë zhvilluar kryesisht kanë qenë në fushën e trajnimit, përdorimin e harduerëve, softuerëve dhe sistemeve tjera të rëndësisë së veçantë që kanë të bëjnë me mbrojtjen kibernetike.
Nënkoloneli Yazzie premtoi vazhdimin e realizimit të projekteve projekte specifike, që kanë të bëjnë me këtë fushë, “ne do vazhdojmë edhe në të ardhmen me realizimin e vizitave dhe punëtorive të tilla, sipas planifikimit të përbashkët për ngritjen e kapaciteteve dhe përdorimin e tyre në mënyrë sa më efikase”.