Ministria e Mbrojtjes dhe FSK mbajtën sot konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ambasadorë, atashe të mbrojtjes të Republikës së Kosovës, si dhe përfaqësues tjerë diplomatikë dhe atashetë ushtarakë të të gjitha shteteve partnere të Republikës së Kosovës.
Të pranishmëve iu drejtuan me fjalimet e tyre zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, drejtori i Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT), gjeneral brigade Christian Nawrat, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.
Po ashtu, gjatë kësaj konference, me prezantime tematike u paraqitën: Shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, gjeneral brigade Ilir Qeriqi, kolonel Bekim Osmani, kolonel Astrit Haliti, nënkolonel Beton Retkoceri, atasheu i mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, kolonel Stjepan Domjancic dhe major Shpëtim Ujkani.
Në vijim keni fjalimin e plotë të zëvendësministrit të Mbrojtjes, Shemsi Syla:
“Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, ministrit Ejup Maqedonci dhe në emrin tim personal të ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë konferencë të rëndësishme për FSK-në dhe partneritetin me vendet mike.
Kjo ditë nuk është thjesht një përkujtim i përkushtimit dhe përpjekjeve të pashtershme të pjesëtarëve të FSK-së, por edhe një testament i fuqishëm i bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar ndër vite përkushtimin e saj për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë. E themeluar mbi vlerat e paqes, demokracisë dhe përkushtimit të pashoq për vendin, FSK sot është një simbol i krenarisë kombëtare dhe garancia jonë për një të ardhme të sigurt.
Këtë vit po e përmbyllim me suksese të përbashkëta me partnerët tanë ku përveç bashkëpunimit tonë të shumanshëm, dua të theksoj koordinimin dhe bashkëveprimin për të kontribuar për luftën e drejtë çlirimtare të Ukrainës.
Gjatë këtij rrugëtimi të ndërlikuar, asnjëherë nuk kemi qenë të vetëm. Partnerët tanë ndërkombëtarë kanë luajtur një rol thelbësor në formësimin, modernizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve tona. Për këtë, falënderimet tona shkojnë jo vetëm për ndihmën materiale dhe ushtarake, por edhe për përkushtimin e treguar ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Përmes këtij bashkëpunimi të ngushtë FSK sot qëndron e fortë dhe e gatshme për të përmbushur misionin e saj si garantues i sigurisë së Kosovës dhe kontribuues për paqen ndërkombëtare.
Të dashur miq!
Ditën e sotme ne tregojmë jo vetëm arritjet tona, por edhe bashkëpunimin dhe aleancën që kemi ndërtuar me partnerët tanë ndër vite. Ky bashkëpunim është bazuar në vlerat e përbashkëta të lirisë, barazisë dhe respektit për të drejtat e njeriut. Këto janë vlera që na bashkojnë dhe që na japin forcën të qëndrojmë të vendosur përballë çdo sfide.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se rruga drejt paqes dhe stabilitetit kërkon përpjekje të vazhdueshme, gatishmëri dhe besnikëri ndaj vlerave tona më të larta. Dhe, pikërisht këto cilësi janë ato që e bashkojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe partnerët tanë. Përmes ushtrimeve të përbashkëta, trajnimeve, dhe operacioneve ndërkombëtare, ne kemi ndërtuar një forcë të aftë, të disiplinuar dhe të përgatitur për t’u përballur me sfidat e sigurisë, brenda dhe jashtë vendit tonë”.
Të nderuar pjesëmarrës!
Teksa shikojmë përpara, le të jemi të sigurt se FSK, e mbështetur nga partnerët e saj, do të vazhdojë të jetë një forcë e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Së bashku, ne do të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë.
Në përfundim, dua të falënderoj secilin anëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës për sakrificën, përkushtimin dhe guximin e tyre të jashtëzakonshëm. Po ashtu, falënderimet më të sinqerta shkojnë për partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët na kanë qëndruar pranë në çdo hap të këtij rrugëtimi.
Le të vazhdojmë së bashku, të përkushtuar ndaj misionit tonë të përbashkët për paqe, siguri dhe zhvillim. Së bashku, jemi më të fortë”.
Në vijim keni fjalimin e plotë të Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari:
“Mirë se keni ardhur në Republikën e Kosovës. Është kënaqësi që jemi sërish së bashku në këtë konferencë të rëndësishme për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe partnerët tanë.
Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon rrugëtimin e saj drejtë ngritjes së kapaciteteve të reja, investimin në burime njerëzore dhe zhvillimin e një Force të ndërveprueshme me aleatët e saj.
Mbështetja e juaj deri në këtë fazë ka qenë thelbësore në zhvillimin e FSK-së dhe së bashku e kemi shndërruar në storie suksesi.
Unë si komandant, vazhdimisht jam koordinuar me partnerët tanë që të shtyjmë përpara projektet tona të mëdha pasi që kjo është thelbësore për rrugëtimin tonë përpara.
Kam theksuar vazhdimisht që ne trajnohemi, stërvitemi, bashkë zbarkojmë vetëm me shtete te NATO-s dhe kjo është tregues i seriozitetit tonë për fokusin tonë strategjik, dhe për anëtarësimin në aleancën më të rëndësishme ushtarake në botë.
Përderisa përgatitemi të hyjmë në fazën e fundit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, ne gjithashtu hyjmë në një fazë komplekse të zhvillimit të aftësive të reja dhe mirëmbajtjes së kapaciteteve aktuale. Gjithashtu kemi filluar planifikimet për periudhën pas PGJT-së mbi bazën e Planit Afatgjatë të Zhvillimit.
Edhe këtë fazë, do ta përfundojmë së bashku pasi që siguria globale kurrë nuk ka qenë më e sfiduar. Ne duhet të jemi të gatshëm të përmbushim misionin tonë kushtetues dhe ligjor si dhe të mbështesim Aleancën në përgjigje të sfidave të sigurisë rajonale dhe globale.
Prandaj është thelbësore që të vazhdojmë të kemi përkrahjen tuaj dhe së bashku të rrisim kapacitet tona të gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë për reagim në kohë.
Vetëm kështu mund të jemi gati që të shërbejmë në paqe dhe parandalojmë luftërat”. /2LONLINE/