Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka mbajtur sot debatin e dytë publik me qytetarë. Me këtë rast, ai i ka njoftuar ata për punën e tij njëvjeçare por edhe të drejtorive komunale si dhe për planet e qeverisjes lokale në Viti, për vitin në vijim.
Në këtë takim fillimisht para qytetarëve u bë një video prezantim nga Plus Televizion, për punën e komunës për këtë periudhë që po e lëmë pas më pas kryetari Haliti, ka shpalosur punët, projektet që janë kryer si dhe planet për vitin e ardhshëm. Në këtë takim kryetari Haliti ka folur edhe për përkushtimin e qeverisjes lokale në përmirësimin e vazhdueshëm të jetës së qytetarit, duke përmendur edhe parimet kryesore.
“Duke u bazuar në parimin e llogaridhënies dhe transparencës si shtylla bazë të kodit etik të funksionarëve lokal, para jush do e prezantoj raportin e punës tonë njëvjeçare për vitin 2022. Ajo që kisha primare që në fillim të marrjes së mandatit të parë, ishte ti përgjigjem zërit të kërkesave tuaja e që për neve ishin edhe udhërrëfyes për projektet e përbashkëta programore, ku realizimi i tyre i suksesshëm nuk ka munguar, as në vitin të cilin po raportojmë”, u shpreh kryetari Haliti. Ai tha se edhe pse ky vit ishte vit me plot sfida, ky vit mund të konsiderohet i suksesshëm për arsye të ndryshme.
“Puna njëvjeçare e komunës, mund të konsiderohet e suksesshme dhe dëshmi e këtij suksesi është komunikimi i vazhdueshëm dhe i shkëlqyer mes sektorëve të administratës komunale, bashkëpunimi i ngushtë me qytetarë dhe grupe të ndryshme të interesit. Respektimi i dallimeve kulturore, etnike, fetare, politike, e tjerë, gjithashtu përbën bazën e suksesit dhe mbarëvajtjes së punës në këshillin komunal. Sukses tjetër është edhe koordinimi i rregullt i mbajtur me grupet e këshilltarëve, komunikimi i vazhdueshëm me institucionet shkollore, organizatat vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë ” u shpreh kryetari Haliti. Më pas kryetari ka prezantuar edhe aktivitetet e drejtorive komunale dhe të sektorëve të ndryshëm të komunës. Ndërkaq, pjesa e dytë e këtij takimi ishte e hapur për qytetarët për të parashtruar pyetje, për çështje të ndryshme. /2LONLINE/