Për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Kamenicë ka organizuar aktivitete për shënimin e kësaj dite.
Në akademinë solemne që është mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati”, ishin të pranishëm kryetari Qëndron Kastrati bashkë me kabinetin, zyrtarë komunal e qytetarë të shumtë.
Kryetari Kastrati uroi të gjithë të pranishmit dhe tha se sot është ndjerë mirë për shumë arsye dhe se i përkulet kontributit historik të individëve e grupeve që u angazhuan e luftuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
“Sot kur festojmë 11 vjetorin e pavarësisë, shfrytëzoj rastin të ftoj secilin nga ne të reflektojmë. Ta përkthejmë lavdinë e dëshmorëve në guxim për të punuar, e shpresën e të ardhmes në vision për rezultate”, tha ai.
Këtë festë edhe më madhështore e bënë kori, orkestra e artistët e qytetit tonë, që performuan e kënduan për të gjithë të pranishmit.
Ndërkaq, Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport Arianit Ibrahimi, tha se bashkë me ekipën e tij kanë bërë të pamundurën që qytetarëve të Kamenicës t’u sjellin një program festiv të veçantë me këngë e valle patriotike e tradicionale, ashtu siç duhet të festohet kjo ditë.
E gjithashtu edhe përfaqësuesi i veteranëve të luftës së UÇK-së Milaim Limoni i uroi qytetarët për këtë fest.
Ky manifestim i organizuar nga DKRS, u përmbyll me valle tradicionale nga Ansambli i Këngëve e Vallëve “Albana”.