Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier në emër të dy qeverive respektive nënshkruan sot marrëveshjen mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes, Kryeministri Kurti e cilësoi atë si tejet të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit tonë të frytshëm në fushën e sigurisë, të mbrojtjes mbi informacionin e klasifikuar. Ai e falënderoi ambasadorin amerikan, Hovenier dhe Departamentin e Mbrojtjes të ShBA-së si implementuesin e Marrëveshjes, për besimin e treguar dhe për fuqizimin e mëtejmë të lidhjeve tona shtetërore përmes dakordimeve të këtilla.
Arritje të rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës e vlerësoi marrëveshjen edhe ambasadori amerikan, Hovenier. Në lidhje me të, ai tha se ajo përfaqëson zotimin e fuqishëm të tyre për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe se në të njëjtën kohë çon përpara aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial përmes shkëmbimit të informatave me ShBA-në. Ai po ashtu shtoi se ShBA mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Me marrëveshjen e nënshkruar sot dy shtetet marrin detyrime për mbrojtën e informatave të klasifikuara të njëra tjetrës, duke hapur derën për shkëmbim të këtyre informatave. Informacioni i kategorizuar si i tillë, do të ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedojnë çertifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon. Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes tij në raport me palët e autorizuara.
Në këtë ceremoni sot i pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe përfaqësues tjerë të Ministrisë së Mbrojtës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. /2LONLINE/