Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në tubimin përmbyllës të falënderimit, është ndier i impresionuar me mbështetjen në formë plebishitare të qytetarëve.
Haziri këtë masivitet e ka cilësuar si kryengritje politike, duke shtuar se sonte është treguesi më i mirë se Gjilani do të jetë gjithmonë qytet i gjilanasve.
“Ky masovitet sonte është përtej partiak dhe është treguesi më i mirë se Gjilani nuk duron bedel politik, por një Kryetar që qeveris pa presion, pa ndikime e pa anime. Ky masovitet sonte është tregues se gjilanasit e duan një Kryetar që qeverisë mbi parimin e barazisë, sepse para ligjit dhe para Zotit jemi të gjithë të barabartë”, ka thënë kryetari Haziri.
Më poshtë e keni fjalimin e plotë:
Mirëmbrëma Gjilani im
Kjo që po ndodhë sonte këtu, në sheshin që mban emrin e kryengritësve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, s’ka se si të quhet ndryshe pos kryengritje e madhe politike.
Ky masovitet sonte është treguesi më i mirë se Gjilani do të jetë gjithmonë qytet i gjilanasve.
Ky masovitet sonte është përtej partiak dhe është treguesi më i mirë se Gjilani nuk duron bedel politik, por një Kryetar që qeveris pa presion, pa ndikime e pa anime.
Ky masovitet sonte është tregues se gjilanasit e duan një Kryetar që qeverisë mbi parimin e barazisë, sepse para ligjit dhe para Zotit jemi të gjithë të barabartë.
Të dashur gjilanas
Sonte, në veçanti jam i nderuar që po flasë para familjeve të respektuara të dëshmorëve, heronjve e kryengritësve të kombit: Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani, Agim Ramadani, Ramiz Cërnica, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Kadri Zeka e Zija Shemsiu, Abdulla Tahiri e Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti e Ibrahim Uruqi, Muharrem Ibrahimi e Esat Berisha, Halim Orana e Reshat Ymeri, Nezir Shurdhani e Ymer Muqibaba, Hoxhë Lipovica e Nazmi Hoxha dhe shumë të tjerë, të cilët sakrifikuan, luftuan dhe u flijuan për këto ditë të bardha.
Kur e ke respektin e familjeve të kryengritësve për lirinë e shqiptarëve, veçanërisht nënave heroina, përgjegjësia kundrejt këtij nderi e respekti të shtohet edhe më shumë.
Të dashur gjilanas
Ju falënderoj prej fundit të zemrës që gjatë kësaj fushate të gjatë, keni hapur konakun për mua gjithandej ku kam qenë. Faleminderit shumë për entuziazmin, energjinë e jashtëzakonshme dhe bashkëpunimin.
Janë mijëra takime me burra e gra, djem e vajza, të rinj e të reja, pleq e plaka, besimin e të cilëve do ta ruaj si bekimin më të shenjtë për mua.
Kjo fushatë na ndihmoi të njihemi edhe më shumë dhe të identifikojmë edhe më shumë çështje që kanë nevojë për ndërhyrjen tonë.
Ju siguroj që i kam dëgjuar dhe kuptuar ato që më keni thënë, siç jam i sigurt se ju i keni kuptuar drejt të gjitha ato që i kam prezentuar unë.
E diela po vjen dhe ne aty do të vendosim. A do t’i bashkohemi programit tonë që është një tren me zhvillimin si destinacion, apo do të bëjmë regres?
Unë e di mirë që Gjilani nuk fitohet me fraza boshe, dhe argument për këtë është programi ynë, i detajuar deri në imtësi, për zgjidhjen e problemeve tona ditore.
E kam thënë edhe më parë e po e përsëris: unë as nuk kam, e as nuk dua të kem, opsion tjetër politik pos Gjilanit. Qytetari e di këtë po aq mirë sa e di unë.
Të dashur gjilanas,
Për këto vite ia kemi njohur dhimbjet e përpjekjet njëri-tjetrit, kemi mbetur pa gjumë për Gjilanin e kemi festuar për sukseset e qytetit tonë.
Kjo njohje, është koha të kalojë në besim. Në besimin se Gjilani mund të jetë ai që e ëndërrojmë e se ambiciet ia përcaktojmë vetë vendit tonë.
Të dashur gjilanas,
Gjilani nuk është për t’u ndarë rreth bindjeve partiake, por për t’u bashkuar përkundër bindjeve e për qytetin. Kemi thyer vazhdimisht barriera e, me ndihmën e njëri-tjetrit, do të thyejmë prapë ato që kanë mbetur. Askush nuk na mban dot larg nga zhvillimi.
Tani, në përmbyllje të kësaj fushate, nëpërmjet këtij tubimi të falënderimit, kërkoj nga të gjithë që të dielën të dilni në mënyrë solemne për ta shprehur edhe me votë besimin tuaj ndaj meje, sepse kështu e do demokracia.
Unë zotohem se do të punojë për një Gjilan edhe më të mirë, për shërbime më efikase, për ekonomi lokale të zhvilluar, për arsimim cilësor të të rinjve, për taksa të ulëta e buxhet të qëndrueshëm.
Kërkoj mbështetjen tuaj për solidaritet me familjet me probleme banimi, për një qytet të pastër e të mençur, për një qytet të gjelbër e të biçikletave, për një infrastrukturë e shërbimeve publike moderne.
Kërkoj mbështetjen tuaj për finalizimin e projekteve të rrugëve europiane, ndriçim, e trotuare të standardizuara edhe për personat me aftësi të kufizuara.
Kërkoj besimin tuaj për ta avancuar më tutje kryeqendrën e kulturës dhe të sportit, përmes programeve të mëdha.
Kërkoj besimin tuaj për të fuqizuar zërin e rinisë dhe të grave dhe për të avancuar përfshirjen e tyre në vendimmarrje.
Kërkoj besimin tuaj për ta vazhduar partneritetin me donatorët dhe qeveritë mike të Gjilanit.
Kërkoj mbështetjen tuaj për vazhdim të qeverisjes me duar të pastra e dyer të hapura për qytetarët.
Me besim në Zot, Familje e Shtet, Gjilani do të mbetet i gjilanasve e unë do të jem gjithmonë Luta juaj!
Ju faleminderit shumë!
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së, Dega në Gjilan
/Hapësirë e rezervuar për fushatë/