Nuk e kam fjalën për lojën me shamia, as për lojën me kapuça, si traditë popullore, por për lojën e politikës me këto elemente kombëtare e fetare. Tani që është caktuar data e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, kanë filluar shumë lojëra me popullin.
Xhylije Ibrahimi
Një qytetar modest i kësaj shoqërie, mbase i pa vërejtshëm në jetën normale, më tha se kishte ngelur i habitur se sa shumë politikanë e kanë përshëndetur këto ditë. “Më pyetën për vete, për familjen, madje edhe për fëmijët, për gjithçka.
Eu thashë me vete, se sa i rëndësishëm paskam qenë e nuk e paskam ditur deri më tani”. Madje ishte befasuar edhe me premtimet që i kishin dhënë. “I rregullojmë të gjitha, vetëm na ndihmo që t`i fitojmë zgjedhjet”, i kishin thënë.
Eu, sa hipokritë që janë këta njerëzit e politikës. Deri dje nuk na shihnin fare kur kalonin rastësisht pranë nesh, sepse ne nuk jemi për ata më shumë se disa buburreca që lëvizin rrugëve të njëjta, ku ata na anashkalojnë me vetura të zeza dhe madje, ndonjëherë edhe nga fyejnë nëpër dhëmbë, nëse rastësisht dhe pa dashje i pengojmë lëvizjet e tyre, derisa jemi duke u rropatur për ekzistencën tonë.
Siç thashë më lart, në lojë për vota e për fitore, po përdoren edhe kapuçat e shamitë. Të kuptohemi drejt: Unë nuk jam kundër kapuçit, sepse e ka bartur me krenari edhe babai im dhe paraardhësit tjerë të mi, as nuk jam kundër shamisë, sepse e bart edhe nëna ime, madje edhe unë kam kryer dikur mësim fetar, por jam kundër përdorimit të këtyre simboleve për qëllime politike.
Merita për përfshirjen e femrave me mbulesë në politikë i takon Partisë së Drejtësisë të Ferid Aganit, të tjerët e kanë hipokrizi. Nuk e bëjnë këtë për barazi. Në këto zgjedhje, sikur është hapur një garë se kush më shumë po rekruton shami në listat zgjedhore.
“Loja me shamia” ka marrë hov kësaj here në të gjitha subjektet politike. E dinë se mund të sjellin më shumë vota. Populli e konsideron shaminë si simbol të ndershmërisë së një gruaje.
Megjithatë, kjo është e drejta e tyre.
Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm vetë dhe të mos mashtrohen nga premtimet boshe të politikanëve që tashmë i kanë sprovuar. Ata bëhen bashkë për pushtet, për karrige, për privilegje, për t`u diferencuar prej nivelit popullor.
Do t`i shihni nesër të njëjtit njerëz se si do të sillen me ju. As nuk do të keni rast me fol me ta, se lere më të kenë durimin për të dëgjuar një hall tuajin. Duhet të prisni edhe katër vjet të tjera, nëse mandati nuk shkurtohet si kësaj here, për t`i parë e për t`i takuar të njëjtat fytyra. “Nuk jemi pa moti”, do t`ju thonë.
Para se të shkoni te kutitë, mos harroni të bëni një rishikim të rrugës së atyre që do t`i votoni, për t`u bindur se kush kanë qenë e kush janë tani. Sa janë të pasur tani dhe si kanë qenë dikur, sa veta nga familjarët, miqtë, fara dhe fisi i tyre i kanë punësuar e të tjera e të tjera, sepse vetëm këtu e shihni fytyrën e vërtetë të politikanëve, jo tek fjalët e bukura që thonë.
Edhe ata (ato) që flasin për barazi gjinore, dijeni se këtë e kanë vetëm retorikë. Nuk lënë konkurs pa prishur deri sa të vendosin njerëzit e tyre në një pozitë, pavarësisht se kundër kandidati është femër, madje me përgatitje më të lartë shkollore. Kjo më ka ndodhur edhe mua personalisht, nga ata njerëz të cilëve u kam besuar. Çuditërisht, nga ata që barazinë gjinore e kanë moto të fitoreve. Përralla.
Këto përralla do të provojnë të na i shesin sërish. Unë nuk u besoj më. Ju veproni si të doni, por gabimi është i juaji nëse zhgënjeheni përsëri. Na pengojnë në realizimin e të drejtave tona.
Nuk ka rëndësi nëse në shkollë ke qenë në mesin e më të mirëve, në konkurset për një vend pune, mundesh nga një kandidat shumë më i dobët dhe më me pak shkollim. Përparësia është tek ai që ka lidhje me politikanët, jo tek ai që ka më shumë shkollë e dije. Madje, po u ankove, herën tjetër të renditin të fundit.
Shumica prej nesh jemi lodhur nga këto lojëra. Këta politikanë na e kanë humbur shpresën për vete dhe për fëmijët tanë, na e kanë zbehur dashurinë ndaj vendit tonë.
Dhe tani përsëri na dalin përpara të njëjtat fytyra dhe përpiqen të shitën si engjëj. Kërkojnë besimin tonë edhe njëherë. Luajnë me shami e me kapuça. A duhet t`iu besojmë sërish të njëjtëve? Unë e di për vete, ju vendosni vetë !
(Autorja është master i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)