I shtrirë rrëzë një kodrine, fshati Llovcë gjithnjë ishte përballë me mungesën e ujësjellësit, andaj që nga viti 2001 ishte nisur një projekt për rregullimin e ujësjellësit, i cili përfundimisht ishte mbyllur në vitin 2010, kur u mendua se pas investimit 70 mijë euro përfundimisht u zgjidh ky problem.
Ishte ky një investim nga zyrat zvicerane dhe austriake si dhe komuna e Gjilanit, për të bërë me ujë të pijshëm fshatin Llovcë të Gjilanit, kur uji nga lumi Llapusha është dashur të sjellin në fshat që është në një lartësi mbidetare të konsiderueshme. Punën në hapjen e kanalit të gjatë qindra metra e kishin kryer fshatarët me punë vullnetare.
Atëkohë u desh që fshatarët të kryenin punën vullnetare, u deshtë ndërrimi i gypit kryesor, vendosja e transformatorëve e i pompave zhytëse dhe pas kësaj pune të madhe të bërë, fshati përfundimisht u bë me ujë.
Por, tashti kur kanë kaluar më shumë se 12 vite, problemi i mungesës së ujit të pijshëm sërish u rishfaq. Fshataret thonë se ka tri vite që problemi me ujë të pijshëm po shfaqet vazhdimisht dhe ndodhë që pa ujë të mbetën me muaj të tërë.
Hidromorava, që është përgjegjëse për furnizim me ujë edhe në këtë fshat, kohë pas kohe del dhe e rregullon problemin, por që pas 2-3 dite problemi sërish rishfaqet.
Banorët e Llovcës shprehen se që nga 23 dhjetori kanë ngelur pa ujë. Ata kanë informuar të gjithë strukturat e KRU Hidromorave e problemin e kanë adresuar edhe te zyra e kryetarit të komunës së Gjilanit më datë 13 janar 2023.
“Jemi mbetur shumë keq pa ujë tash e sa kohë, andaj jemi të detyruar që t’u drejtohemi edhe gazetarëve, sepse banorët janë mjaft të shqetësuar”, thonë banorët e këtij fshati, të cilët këmbëngulin që t’u bëhet një zgjidhje e këtij problemi.
BURIMI: Kryelajmi