Prishtina dhe Llapi sfidojnë sot njëri-tjetrin në luftën për kreun e tabelës dhe titullin kampion.
Llapjanët do të udhëtojnë në Prishtinë për pikë të plota, ndërsa kanë paralajmëruar se aty do jenë edhe rreth 8 mijë tifozë.
Në anën tjetër, trajneri i Llapit, Tahir Batatina e ka zbuluar shumën e majme që ua ka ofruar kryesia e Llapit futbollistëve, për ndeshjen derbi me Prishtinën të shtunën dhe për titullin e kampionit të Kosovës.
“Kryesia e klubit ua ka premtuar 20 mijë euro si premi futbollistëve në rast të fitores ndaj Prishtinës. Gjithashtu, kryetari i klubit e ka premtuar një shifër prej 100 mijë frangash zvicerane premi për futbollistët nëse shpallemi kampionë. Ne nuk kemi nevojë t’i motivojmë me para klubet tjera pasi më mirë është t’i shpërblejmë lojtarët tonë. Tek e fundit, titullin e kemi në duart tona, nëse dimë t’i shfrytëzojmë tri ndeshjet e fundit”, ka thënë Batatina.
Llapi e ndan pozitën e dytë në tabelë së bashku me Prishtinën, ndërsa kanë dy pikë më pak se lideri, Feronikeli. Në tri xhirot e fundit do të përballen në mes vete pikërisht tri ekipet pretendente për titull.