Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit dhe as të masës së arrestit shtëpiak, por ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor kundër Ilir Dedës, Ylli Hoxhës dhe 24 studentëve të tjerë të cilët ishin protestues paqësorë.
“Ky vendim i gjykatës nuk është fitore e drejtësisë, por është ndërprerje e ligjshme dhe e drejtë e një padrejtësie dhe keqpërdorimi të drejtësisë nga ana e prokurores Fikrije Fejzullahu e cila ka urdhëruar arrestimin e tyre pa asnjë arsye juridike. Pasi që për Ilir Deda nuk ka pas arsye juridike për arrestim, arsyet kanë qenë krejtësisht politike”, ka thënë avokati i Dedës, Tomë Gashi, i cili ka treguar se do të ankohet ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.