Shkruan: Samir Berisha
Me hyrjen në fuqi të ligjit të pagave mësimdhënësit përfituan ngritje nga 50-60 euro (neto) në shkolla të mesme dhe rreth 90 euro në shkollat fillore. Në rrethana normale do të duhej të konsiderohej ngritje solide pavarësishtë se kjo nuk i plotëson nevojat dhe kërkesat e tyre për të paktën dy arsye: 1. Inflacioni ekonomik dhe 2. Kjo rritje erdhi me vonesë – pas 9 vitesh.
Llogaridhënia në arsim deklarativisht përmendet gati në çdo rast, vetëm në Strategjinë e Arsim (2022-26) si shprehje përmendet rreth 40 herë, shumë mirë dhe tepër e nevojshme e ndoshta njëri nga pozicionet pikënisje për ta përmirësuar gjendjen në arsimin parauniversitar publik në Kosovë.
Kush është hierarkia e llogaridhënies në arsim: MAShTI – DKA – Drejtor i shkollës. Si i trajton ligji i pagave në të ardhura dy shkallët e nivelit lokal: Për çdo mësimdhënës në shkollë eprori i parë është Drejtori i shkollës të cilit i përgjigjet, dallimi në pagë mes drejtorit dhe mësimdhënësit është rreth 8%. Duke u nisur nga kjo diferencë e vogël cili është motivi për të marr përgjegjësi dhe udhëhequr një shkollë me një pagë ku diferenca është mesatarisht 50 euro në mes të drejtorit dhe mësimdhënësit, madje në disa raste me përvojë më të gjatë mësimdhënësi mund edhe ta kaloj eprorin!
Nga ana tjetër, dallimi në pagë mes zyrtarëve të arsimit në DKA dhe menaxhmentit të shkollave është rreth 25 % më ulët.
Unë mendoj se ky ligj e zbeh edhe më tej rolin e drejtorit të shkollës në raport me stafin e tij në krye me vet mësimdhënësit edhe ashtu të zbehur dhe të painteresuar për këtë pozitë drejtuese qe disa vite, ashtu siç e zbeh edhe rolin e DKA-së si institucion drejtues në rolin e saj udhëheqës me arsimin në komunë në raport me llogaridhënien, gjithnjë nëse nuk pëson ndryshime.
Mund të presim gjithçka tjetër, vetëm se llogaridhënie mos të presim deri sa ligji e rangon më lartë atë që vlerësohet se vet vlerësuesi! Pra, ma trego pagën, ta tregoj vendin. /2LONLINE/