Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në vende të ndryshme të Evropës, të cilët i falënderoi për kontributin e dhënë nëpër të gjitha etapat historike të shtetndërtimit të Kosovës.
Kryeministri tha se në kohërat më të vështira të viteve ’90-ta, e gjithë Kosova ka jetuar prej tyre dhe çmoi lartë kontributin e dhënë nga diaspora për lirinë e vendit.
“Ndërtimin e lirisë, si një proces shumë i vështirë, ju e keni përkrahur, sidomos rimëkëmbjen e menjëhershme të pasluftës, kur Kosova ka qenë e shkatërruar dhe keni vazhduar ta përkrahni edhe më tutje”, tha kryeministri, duke veçuar anën financiare, si një gjë shumë të çmuar për Kosovën, e cila ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të saj.
Më tutje, kryeministri Haradinaj tha se gjëja më e çmuar është lidhja që bashkatdhetarët i bëjnë Kosovës me popujt ku jetojnë.
“Është me rëndësi me dërgu porosi të mira”, tha kryeministri Haradinaj, duke lutur bashkatdhetarët që këto lidhje me popujt e vendeve ku jetojnë, t’i forcojnë edhe më tutje, duke u bërë shtetas të mirë të atyre vendeve ku jetojnë.
Duke përmendur faktin se Kosova është anëtare e shumë organizatave të ndryshme ndërkombëtare, qofshin ato sportive apo të fushave tjera, kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka ende probleme që duhet t’i tejkalojë, por që po punon ngushtë me shtetet aleate të shtetndërtimit të saj.
Kryeministri porositi bashkatdhetarët që të mos e harrojnë atdheun e tyre dhe ta ndihmojnë atë atje ku munden, duke premtuar që do të angazhohet në përmirësimin dhe zgjidhjen e shumë çështjeve që kanë të bëjnë me diasporën tonë dhe vendin.
“Tani është koha që ne po merremi me tema të mëdha, të cilat kanë mbetur pa u zgjidhur prej vitesh. Siç është tema e ambientit. Në shtator do ta pastrojmë në mënyrë gjeneralë Kosovën, Kosovën tonë, Kosovën tuaj, siç do të merremi edhe me shumë çështje që e preokupojnë diasporën, veçmas kartoni i gjelbër”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj zhvilloi bashkëbisedim me shumë prej përfaqësuesve nga diaspora, të cilët morën pjesë në pritjen e organizuar nga Zyra e Kryeministrit.