Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme – LIBE, në Parlamentin Evropian, ka votuar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kosova mori rekomandimin nga Komiteti LIBE për liberalizimin e vizave me 30 vota pro, dhjetë kundër dhe dy abstenime.
Pas votimit në Komision, procesi vazhdon në seancën plenare të Parlamentit Evropian që pritet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, pastaj në Këshillin e Ministrave e tutje.
Përndryshe, ministrja e integrimeve, Dhurata Hoxha, duke komentuar votimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga komisioni LIBE, ka shkruar në profilin e saj në facebook se ky është edhe një hap drejt lëvizjes së lirë.
ja postimi i saj i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Komisioni LIBE sapo votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky është edhe një hap drejt lëvizjes së lirë, edhe një sukses i përbashkët drejt afrimit me familjen evropiane.
Pas votimit në Komision, procesi vazhdon në seancën plenare të Parlamentit Evropian që pritet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, pastaj në Këshillin e Ministrave e tutje.
Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar dhe presim që procesi i vendimmarrjes të përmbyllet brenda këtij viti, megjithatë tashmë çdo gjë është në dorën e institucioneve të BE-së.
Është koha që Kosova të shpërblehet për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm.
Mirëqenia e qytetarëve tanë është dhe duhet të jetë gjithnjë prioritet yni. Qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lirë.
Urime për këtë sukses të përbashkët!
Ju siguroj se do të kemi transparencë dhe informim me kohë për çdo zhvillim për liberalizimin e vizave.