Ardian AZEMI
I nderuari kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj,
Për mua nuk paraqet problem kur një, dhjetë, njëmijë, tridhjetëmijë të rinj, e lëshojnë Kosovën dhe me kontrata pune shkojnë e punojnë në Kroaci, Gjermani e ku dreq ta di unë.
Problem paraqet kur qytetarët heqin dorë nga nënshtetësia e që fatkeqësisht është numër i madh për një popull aq të vogël.
A është mirë që të rinjtë për shkak se nuk e gjejnë vetën në vendin e vet ikin diku jashtë?!
Sigurisht që nuk është mirë. Ikin mjekët, inxhinierët, arkitektët, juristët e ekonomistët. Po ikin ata kontributi i të cilëve do ta ndihmonte Kosovën në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe një perspektive të re.
A ka mundësi që të ndalet ky trend?!
Natyrisht që ka, porse lypset vullnet e seriozitet, angazhim dhe punë ekipore. Dmth, lypset një qasje ndryshe karshi këtij problemi.
Dje Kuvendi i Kosovës diskutoi për ikjen e të rinjve, dhe në përfundim të seancës krejt ata që mbajtën fjalime “rrëqethëse”, i morën mëditjet e tyre që janë më shumë se paga minimale në Kosovë.
Pra, ky është një ndër shumë faktorët që i bënë të pa shpresë rininë. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, dhe propozimet për rezoluta për këtë çështje, rinia i konsideron hajgare.
Pse ndodh kjo?!
Atë që e kemi mbjellë dje, po e korrim sot. Gati 20 vjet është investuar për me ndodh sot kjo. Politika ia ka vjedhë shpresat rinisë, e ka gjunjëzua ekonomikisht, ka luajt me ndjenjat e qytetarëve, dhe ka mbjellë urrejtje mes vete. Krejt kjo, është e pamundur të rinovohet shpejtë, dhe po ashtu është e pamundur që në afat të shkurtë kohor të rikthehet besimi qytetarë në institucione.
Thjeshtë, popullit ia kanë pamundësuar që të ruajnë bile një dozë besimi se një ditë ka me u bë mirë në këtë vend.
Çka të bëjmë?!
Shumë e thjeshtë! Me një qeverisje përnjëmend, me institucione të përgjegjshme, dhe me një strategji të hartuar mirë, ka mundësi të shpëtohet ajo që realisht ka mbet për tu shpëtuar.
Të merret një vendim i cili ia pamundëson çdo zyrtari shtetëror të ketë më shumë se një vend pune. Kjo duhet të nis nga kabineti qeveritar. Pse duhet që një person të jetë edhe zëvendëskryeministër edhe Ministër i Punëve të Jashtme?! E palogjikshme!
Nëse një zyrtar e ka vetëm një vend pune, nënkupton se mbeten të lira edhe shtatë vende pune, do me thënë shtatë qytetarë tjerë do të punësohen, që i bie se shtatë familje bëhen me të ardhura.
Kosova tani e 20 vjet, nuk ka problem me punësimin partiak, sepse kjo ndodh kudo në botë, por kemi problem me punësimin familjarë. Një i punësuar nga çdo familje, do të ishte një hap që rikthen besimin qytetarë në shtet dhe për të ardhmen. Punësimi familjarë e vret shpresën e rinisë, e shkatërron të ardhmen dhe e përndjek trurin nga vendi. Kjo duhet të ndalet, dhe është në dorën tuaj kryeministër, bëjeni!
Kujdesi në shpenzimet e parasë publike është një hap tjetër që duhet të ndodh. Nëse pagat për zyrtarët shtetëror janë aq të larta, pse duhet të kenë edhe mëditje në vizita jashtë vendit, dhe mundësi përzgjedhje nëpër hotele luksoze nëpër botë?!Kjo është e turpshme, dhe praktikë që po e përcjell Kosovën tani e shumë vite. Edhe kjo duhet të ndalet.
Kufizimi i lëvizjeve me vetura zyrtare, dhe shfrytëzimi i tyre veç atëherë kur është shumë e nevojshme, sjellja e mirë e shoferëve të tyre, është një tjetër gjë që duhet të ndodh. Edhe këtë mundeni ta ndalni kryeministër. Nuk kërkon kohë, as mund, por veç vullnet, dhe e di se keni mundësi ta bëni. Bëjeni!
Jam shumë i vetëdijshëm se keni pas dhe do të keni pengesa edhe nga partnerët e koalicionit, dhe në masë të madhe iu pamundësohet veprimi i drejtë. E di që nuk e keni të lehtë të merrni vendime të drejta sepse ato prekin në shumë interesa të atyre që kanë qeverisë që moti me Kosovën.
Por, pavarësisht kostos politike, ju kryeministër me vendimet që keni marrë dhe të tjerat që mund ti merrni, lehtësisht mund të hyni për së dyti herë në histori; njëherë për çlirimin e vendit, dhe tani për ndërtimin e një shteti funksional dhe rikthimin e shpresës tek qytetarët.