“Për nëntë muaj kemi një qeverisje kaotike në Gjilan, bllokim të projekteve e papastëri enorme në qytet si pasojë e mos mirëmbajtjes së hapësirave publike”, thonë përfaqësues të LDK-së së Gjilanit.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, ka mbajtur sot konferencë për media, ku janë paraqitur z. Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltareve në Kuvendin Komunal dhe Afërdita Balaj – Ajdini, asambleiste dhe në emër të Komisionit për Arsim të LDK-së.
Aliu me ironi tha se po e mbyllim edhe një javë shumë të qetë, pa zhurma të mjeteve të rënda të kamionëve dhe eskavatorëve , gjithnjë e më pak edhe zhurma të punëtorëve të ndërtimtarisë, gjithnjë e më pak pluhur nga ndërtimi i rrugëve, kanalizimeve, ujësjellësve, parqeve dhe projekteve tjera.
Pra, u shpreh Aliu, në njëfarë mënyre Gjilani është shndërruar në një qytet të qetë në kuptim negativ dhe me tendencë që kjo qetësi sikurse qeverisjen komunale t’i vë në gjumë edhe qytetarët e Gjilanit.
Sipas tij ,kemi të bëjmë me paaftësinë e qeverisjes komunale dhe me tendencën për përshtatje me Qeverinë Kurti, për injorim ndaj nevojave të Komunës së Gjilanit për Investime Kapitale. Nuk paraqet befasi kjo sepse tashmë rinia, sporti, organizatat, shoqatat dhe qytetarët në përgjithësi, po e shohin këtë dhe po përballen me këtë çdo ditë.
Aliu shtoi se projekte të reja, jo se jo, por më e keqja është se edhe projektet e programuara po i aborton kjo qeverisje, rastin e fundit e kemi me Stadiumin e Qytetit, ku pa asnjë arsye shkëputet kontrata, në vend se të angazhohet që brenda vitit 2022 ta kryejë projektin dhe klubet tona të rikthehen në stadiumin kryesor, sepse për herë të patë në historinë e pasluftës mu në kulmin e sukseseve, klubet tona e fillojnë kampionatin jashtë stadiumit kryesor.
“Fatkeqësisht në drejtim e dështimit janë edhe projektet e rrugëve me BERZH, rruga e Prishtinës dhe e Kllokotit, rruga në drejtim të Bunarit të Përlepnicës te kycja në Autostradë (e për autostradë të mos flasim fare), rruga e Kumanovës, rrugët tjera nëpër qytet dhe fshatra, vazhdimi në dy drejtimet i Sheshit të qytetit, trajtimi i lumit Stanishorka, funksionalizimi i Fshatit të Lumtur (projekt 2,5 milionë dollarës) i cili nga mos mirëmbajtja ka filluar të shkatërrohet ende pa hyrë në të, bile flitet se aty edhe kanë filluar të vidhen pajisjet e brendshme, po ashtu nga moskujdesi, Fshati i Lumtur i tëri është rrethuar me një deponi të egër të mbeturinave, nuk ka mirëmbajtje të rrugëve të qytetit dhe fshatrave – një shembull i tillë nga qyteti është Lagja e Zabelit, ndërsa nga fshatrat është rruga te Cërnica, si asnjëherë më parë qyteti është i mbushur me mbeturina e rrugë të papastra”, ka thënë Aliu i LDK-së.
Ai shtoi e në përgjithësi nga aspekti i Shpenzimve Kapitale, qeverisja komunale fatkeqësisht është kah i përngjan shumë qeverisë qendrore e cila vetëm se 11 % ka bërë shpenzime kapitale, dmth në zhvillim të projekteve e që është niveli më i ulët ndonjëherë në Kosovën e pasluftës.
Sipas Aliut, kryefjala e dështimeve si janë duke rrjedhur zhvillimet tani për tani do të jetë dështimi i projektit të Impitantit për trajtimin e ujërave të zeza, vlera e të cilit llogaritet te jetë afërsisht 25 – 30 milionë euro.
“Merreni me mend, nëse këtë shumë milionëshe e përkthejmë në ambient të pastër, në ujëra të pastra, në vende pune dhe në standard jetësor të barabartë me nivelin evropian. Pastërtia e ujërave, tokës dhe e ajrit paraqet standard evropian të cilin duhet përmbushur edhe Gjilani. Në emër të LDK-së dhe në emër të nevojës njerëzore për këtë investim ndoshta më të rëndësishmin në histori të Komunës, në emër të Malishevës, Uglarit dhe Pogragjës, i bëj thirrje qeverisjes komunale që ta sjellin në Kuvend për votim shpronësimin për pusetat, në mënyrë që të mos dështojë ky projekt”, ka thënë Aliu.
Sipas tij, Qytetarët e Gjilanit, sidomos votuesit e partisë në pushtet, po e shprehin hapur zhgënjimin dhe dëshpërimin e madh ndaj qeverisjes komunale. Për nëntë muaj kemi një qeverisje kaotike, bllokim të projekteve e papastëri enorme në qytet e në institucione të shtetit, si pasojë e mos mirëmbajtjes së hapësirave publike e objekteve të institucioneve të shtetit.
“Tash kur një vit qeverisje shkoi dhe nuk po duket asgjë e hairit, tash kur në vitin e parë nuk ka interesim, vullnet dhe entuziazëm atëherë me gjasë duhet të presim dhe të mësohemi që njëjtë ka me qenë edhe fundi i këtij mandati”, ka thënë z. Aliu.
Një varg kritikash rreth vizitës së ministres së Arsimit ka paraqitur edhe asambleistja, Afërdita Balaj – Ajdini, e cila ka folur në emër të Komisionit për Arsim të LDK-së.
Sipas saj, vizita e ministres së Arsimit rezultoi me një debat të thatë me temën politikat e reja arsimore .Nuk është politikë e re arsimore kthimi në dy perioda, nga tri sa ishin deri tani. I kujtojmë ministres se sistemi arsimor në Kosovë ka funksionuar me dy perioda deri ne zbatimin e kurrikulës së re.
Kur flasim për politikat e reja arsimore pashmangshëm ato duhet të kenë qëllimin kryesor rritjen e cilësisë në arsim.
E kur jemi te rritja e cilësisë në sistemin arsimor, ne mendojmë se një ndër faktorët kryesor për funksionimin e një sistemi arsimor është faktori njeri, i cili, përpos që duhet të jetë njohës i mirë i fushës, ai për opinionin duhet të jetë njeri që është dëshmuar për zbatim të Kushtetutës se vendit, se ndryshe nuk do të ketë besim në opinion.
“Zonjës Nagavci i kujtojmë se, ne mësimdhënësit e Gjilanit, nuk harrojmë se ajo për një grusht vota ne Kamenicë ka ndërhyrë në një proces të reformave arsimore që përmes gjykatës është dëshmuar si i ligjshëm, e që në këtë rast e ka cilësuar si shkelëse të Kushtetuesës, dhe po vazhdon të sillet sikur s’ka ndodh asgjë. Prandaj, ne nuk debatojmë me shkelës të kushtetutës.
Debatet për cilësinë në arsim duhet t’i udhëheqin njerëzit që në rend të parë kanë besimin ne faktorët e sistemit arsimor (prindërit, mësimdhënësit, nxënësit) e jo ne ata që shkelin kushtetutën dhe nëpër debate nuk mund të dalin jashtë ideologjisë partiake, e ne anën tjetër flasin për depolitizim.
Në Gjilan mund të vini e të debatoni, por mësimdhënësit nuk mund t’i mashtroni”, tha Balaj – Ajdini. /2LONLINE/