Sot, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Lokal dhe Agrikulturë, i LDK-së së Gjilanit, ka mbajtur konferencë për medie në selinë e këtij subjketi politik.
Para qytetarëve të Komunës së Gjilanit, kryetari i Komisionit, Fidan Qerimi, ka ngritur shqetësimet e LDK-së për ngecjet e radhës në projektet e nisura dhe të trashëguara nga qeverisja e kaluar.
“Klubet tona gjilanase, përkundër sukseseve të treguara në garat vendore dhe ndërkombëtare, nuk kanë shpresë se së shpejti do të luajnë në stadiumin e qytetit tonë. Qeverisja lokale dhe pushteti qëndror, përkatësisht Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, nuk e kanë aspak prioritet vazhdimin e punimeve në këtë stadium për të cilin është premtuar se do jetë i përfunduar në fund të këtij viti”, ka thënë Qerimi.
Sipas tij, rruga për Bresalc që është rrugë lidhëse me Prishtinën, rruga për Bujanoc dhe rruga për Ferizaj kanë stagnuar me këtë qeverisje dhe nuk dihet kur pritet të përfundojnë. Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, partitë në pushtet janë zotuar se pjesa e parë e rrugës Gjilan- Bujanoc, përkatësisht nga rrethi tek Interex deri tek udhëkryqi i Shillovës do të përfundojë me datën 10 korrik 2022, por siç jemi dëshmitarë të gjithë, punimet në atë zonë nuk janë afër përfundimit dhe kjo po paraqet vështirësi të mëdha qarkullimi për qytetarët tanë dhe bashkëatdhetarët.
“Edhe sot, si çdo javë, i bëjmë thirrje kryetarit të Komunës dhe ekzekutivit komunal që t’i vazhdojnë punët që ua kemi lënë në tavolinë dhe të përmbushin premtimet e tyre elektorale. Ne, si Lidhje Demokratike e Kosovës premtojmë se në këto kohë të vështira për secilin qytetar, me këto ngritje enorme të çmimeve, do qëndrojmë pranë qytetarëve tanë dhe bizneseve për t’i dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për t’i adresuar ato”, ka thënë Fidan Qerimi i LDK-së. /2LONLINE/