Deputetë të opozitës kritikuan Qeverinë e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Ata e kanë quajtur shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës aktin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Reagimet erdhën pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Opozita kritikoi qeverinë e Kosovës për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë në Kosovë, duke vlerësuar se të dielën u shkelë sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës. Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi nuk ka dashur të komentojë nëse është shkelur apo jo sovraniteti i Kosovës, por përmendi formë tjetër të votimit për qytetarët me dyshtetësi, duke marr shembullin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës është shkelje e sovranitetin e vendit.
Edhe Ahmet Isufi nga AAK-ja ka thënë se me mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë është shkelur Kushtetuta.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci nuk ka pranuar se është shkelur Kushtetuta e Kosovës.
Ndërkohë Kuvendi të mërkurën do të vazhdojë seancën e javës së kaluar, ndërsa të enjtën do të mbajë seancë të re, ku pritet që pas rekomandimeve të Komisionit për Legjislacion të procedohet në seancë edhe ligji për zgjedhje.