LDK gjithsesi duhet që të hap garën për Kryetar të ri të partisë edhe pse zgjedhjet e rregullta është e paraparë të mbahen kohë më vonë. Paaftësia e Kryetarit të tanishëm për të udhëhequr me LDK-në për shkak të sëmundjes e bënë gjithsesi të domosdoshme hapjen e garës.
Shkruan: Xhevat Meha
Nevojën për hapje të garës e bënë domosdoshmëria që LDK të rimarrë rolin partisë shtetndërtuese përmes të qenit opozitë me kapacitete për rrëzimit të kësaj qeverie dhe sjelljen e ndryshimeve që ka nevojë Kosova. LDK nuk mund të dalë nga inertësia e tanishme pa ndryshime të brendshme edhe të gjëra edhe të thella.
Disa në LDK ndjehen komod se e shohin LDK-në si partinë më të madhe dhe se pushteti vjen vetvetiu. Këta mund edhe t’i fusin duart në xhepa po pushteti nuk vjen vet. Pushteti duhet marrë, ky është rregulli. Së paku, duhet që pushteti të meritohet. A meriton LDK si strukturë e tanishme që të marrë pushtetin? Unë them jo. Dhe këtë për një arsye të thjeshtë, nuk ofron ndryshimin, ofron vazhdimin. As Kosova dhe as anëtarësia e LDK nuk kërkojnë vazhdimin, kërkojnë ndryshimin.
LDK si strukturë e tanishme është inerte, e paaftë për të imponuar marrjen e pushtetit, dhe kur është e paaftë për t’u imponuar si do të mund të bëj qeverisje ndryshe? Qeverisjen si deri tani edhe mund të bëj pa problem, në koalicion me ndonjë forcë tjetër politike. Paaftësia e LDK-së për t’u imponuar në marrjen e pushteti u vërtetua edhe me tryezat e fundit të partive politike. Brenda LDK-së sigurisht që ka forca që kërkojnë ndryshime, kërkojnë pushtetin për të bërë ndryshime. Tani për tani, këto forca janë të mbizotëruara nga forcat inerte brenda LDK-së.
Forcat brenda LDK-së që kërkojnë ndryshim fuqizuan kërkesën që në bashkëbisedim me forcat tjera politike të gjendet një zgjidhje politike në dobi të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Këto kërkesa u amortizuan lehtë nga rrjeti i SHMS-ve brenda Kosovës dhe brenda LDK-së. Fillimisht doli një forcë tjetër politike me një agjendë që e quajtën për shtetin e Kosovës e në fakt ishte agjendë për “drzhavën” e Kosovës. Në tryezë, si çdoherë, u bënë shumë fjalë se do të veprohet kështu e ashtu por pa asnjë veprim konkret. Dhe u arritaz paqja dhe qetësia për komoditetin e nevojshëm që të qeverisëtkësisoj pa cenuar funksionimin e drzhavës së Kosovës.
Si ndikon LDK e tanishme në komoditetin e qeverisjes së tanishme, qeverisjes me qetësi pa ndryshuar as më të voglën gjë? Përderisa LDK ka përbrenda forca të devotshme për ndërtimin e shtetit të Kosovës, ka gjithashtu edhe forca të devotshme për mbajtjen në funksion të “drzhavës” së Kosovës të ndërtuar nga rrjeti i spiunëve të SHMS-ve në Kosovë dhe brenda LDK-së. Rrjeti i ndërtuesve të “drzhavës” së Kosovës në LDK ka shndërruar LDK-në nga parti politike shtetëndërtuese në parti politike inerte, dhe vazhdon të mbaj LDK-në në këtë gjendje. SHMS-të janë të sigurta se përderisa e mbajnë LDK-në parti politike inerte, nuk rrezikohet funksionimi i ”drzhavës” së Kosovës.
Anëtarësia e LDK-së, por edhe Kosova si tërësi, kanë nevojë që LDK të rikthehet në rolin e partisë politike shtetndërtuese. Kjo mund të arrihet vetëm poqë se LDK bëhet parti e aftë për të imponuar ndryshimin, e aftë për imponuar rrëzimin e qeverisë dhe marrjen e pushtetit për të kryer ndryshimet e kërkuara, kjo mund të arrihet vetëm poqë se LDK meriton marrjen e pushtetit si parti që siguron ofrimin e ndryshimit. Marrja e pushtetit me koalicione pa rritje organike të LDK-së nuk siguron ndryshimin, dhe në këtë mënyrë nuk e meriton pushtetin. Një LDK e këtillë mund të ndërtohet vetëm me ndryshime të gjëra dhe të thella në vetë LDK-në, ndryshime që duhet t’i bëj Kryetari/ja e ardhshme.
Hapja e garës për Kryetar të ri të partisë është praktikë e re në Kosovë. Asnjëra nga partitë tona politike, as LDK, deri tani nuk kanë patur garë brendapartiake. Kanë patur ndoshta ndonjëherë kundër kandidatë por jo garë. Garë është kur dy a më shumë kandidatë garojnë në kushte të barabarta, dhe kur kandidatët kanë kushtet e duhura për të paraqitur para anëtarësisë zotësitë që ka kandidati. Garë është kur kandidatët ofrojnë idetë dhe konceptet e tyre tek anëtarësia, i artikulojnë dhe i ballafaqojnë në mes veti përmes diskutimeve dhe debateve brendapartiake. Gara nuk është luftë për pushtet, nuk është luftë për individ brenda partisë për të marrë vota pa zgjedhur metodë, d.m.th. me rrena, mashtrime etj. Gara nuk është luftë për marrjen e pushtetit pa iu nënshtruar rregullave të garës.
Organet e LDK-së duhet që të marrin vendim në të cilin do të përcaktoj datën e paraqitjes së kandidaturave pretendent për Kryetar, kohën e fushatës brendapartiake për pretendentët, kodin e sjelljes së pretendentëve, metodat e përdorimit në fushatën parazgjedhore ( 3 muaj, 6 muaj, etj), me një fjalë të gjitha rregullat që sigurojnë një garë të barabartë dhe të drejtë. Përcaktimi i rregullave të garës do t’i siguronte anëtarësisë së LDK-së mundësinë që të përzgjedhin kandidatin që ofron konceptet dhe idetë më të mira, kandidatin që ofron programin më të mirë si dhe zotimet e duhura për përmbushje të programit.
Cilido kandidatë që fiton garën, nuk mund të punoj dhe të bëj ndryshimet brenda LDK-së pa patur një ekip për punë të përbashkët. Një individë nuk mund të kryej shumë punë shumë, shumë individë mund të kryejnë shumë punë. Një individ mund të kontribuoj shumë. Individi Kryetar i ri i LDK-së mund të kontribuoj shumë nëse arrin që të mobilizoj shumë individë rreth ideve, koncepteve dhe programit që ofron sepse kështu do te siguroj përmbushjen e programit.
LDK e tanishme duhet të hap garën për Kryetar të ri, të gjitha rrethanat dhe kushtet e krijuara e kërkojnë këtë. LDK duhet që të jetë prijëse me praktikat e kërkuara për ndërtim të shtetit të Kosovës, LDK duhet të fillojë me konkurrencëshmërinë brendapartiake dhe të dëshmohet si prijëse e praktikave të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Zbatimi i konkurrencëshmërisë për zgjedhjen e Kryetarit të ri duhet të jetë vetëm hapi i parë, vendosje në zbatim e parimit të konkurrencëshmërisë edhe për postet tjera brendapartiake. Zbatimi i konkurrencëshmërisë duhet të jetë parim dhe rregull mbi të cilin do të funksionoj LDK në të ardhmen.
LDK duhet që anëtarësisë, simpatizantëve por edhe Kosovës t’i ofroj atë që presin nga ajo. Pritja është që LDK të filloj ndërtimin e shtetit të Kosovës sipas përcaktimeve kushtetuese. Ekonomia e tregut dhe konkurrenca e lirë janë përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës për të siguruar një shoqëri të zhvilluar dhe me mirëqenie të fuqishme. Konkurrencëshmërinë LDK duhet të filloj të kultivoj nga vetja e saj. Si mund të ndërtoj ekonominë e tregut një parti politike që nuk ndërton konkurrencëshmërin brenda vet partisë? Vetëm një LDK ndryshe nga kjo e tanishmja, një LDK të cilën do të ndërtonte Kryetari i ri mund t’i ofroj këto.
“Drzhava” e Kosovës po bien, shteti i Kosovës po fillon të ndërtohet. “Bac nuk u kry”, mashtrim ka qenë.