Nën udhëheqjen e kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, është mbajtur mbledhja e rregullt e Kryesisë.
“Është bërë vlerësimi i angazhimeve në terren gjatë javës që po e lëmë pas, duke e vendosur në fokus mobilizimin dhe angazhimin e strukturave dhe qytetarëve, karshi një qeverie e cila po vazhdon të identifikohet si qeverisje e lloçit, mospunës, mosdijes dhe e mosinteresimit total për politikat zhvillimore”, thuhet në komunikatë.
Sipas LDK-së së Gjilanit, ekzekutivi i Gjilanit kamuflohet me projekte të rrejshme, me premtime boshe dhe vazhdon të mbulohet punët e pabëra, me arsyetime të paqëndrueshme.
“LDK do të vazhdojë t’i mobilizojë qytetarët lagje për lagje e fshat për fshat, në interest ë mbrojtjes së zhvillimit lokal, të politikave zhvillimore, stabilitetit politik të domosdoshëm dhe gjetjen e një morie të problemeve që lidhen me abuzimin e pushtetit, buxhetit, abuzimin e të drejtës dhe cenimit për qytetarët që janë të limituar në të drejtat e punës, në të drejtën për qasje për mbrojtje sociale, në të drejtën për jetë të barabartë”, thuhet tutje në komunikatë ne lëshuar nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së, Dega në Gjilan.
“Diskriminimi ndaj qytetarëve është bërë kulturë e pushtetit që po administron me Gjilanin”, thuhet në fund të komunikatës. /2LONLINE/