Me rastin e 34-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Viti është mbajtur takimi i Degëve të LDK-së në Anamoravë. Të pranishmëve u është drejtuar kryetari i Degës në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, z. Lutfi Haziri.
***
LDK është partia më e vjetër, më e organizuar, më e strukturuar dhe partia e vetme që këtij vendi i dha formë, besim e shpresë se Republika jonë mundet dhe duhet të zhvillohet për t’u bërë e barabartë me të gjithë të tjerat. Roli i LDK-së për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e në Ballkan është i jashtëzakonshëm.
Kjo familje politike e Ibrahim Rugovës, këtij vendi, përveç që ia dha identitetin e një Republike dhe një populli që tashmë udhëheq dhe vendos vet, ia dha edhe demokracinë dhe në këtë demokraci fitojnë edhe rivalët tanë.
Në këtë përvjetor, i falemi njeriut që e udhëhoqi një popull dhe e shpëtoi nga një masakër dhe një varr kolektiv të organizuar, por që në fund rezultoi me atë që besojmë dhe e themi – u lind për të shkaktuar procese të mëdha dhe për të realizuar ëndrra. I falemi dr. Ibrahim Rugovës. Urime 34-vjetori i LDK-së, njofton Dega e LDK-s,ë në Gjilan.