Është lansuar sot platforma e-Komunat, e cila do të lehtësojë qasjen e qytetarëve në shërbimet publike komunale, përmes platformës shtetërore e-Kosova, platformë kjo e mbështetur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si ministri e linjës për komunat.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se sot po lansojmë një numër shërbimesh të reja në e-Kosova, në kuadër të transformimit digjital si shtytës kyç për qeverisje më transparente, llogaridhënëse dhe efikase. “Ky transformim mundëson shërbime më të mira për qytetarët dhe bizneset, duke filluar nga administrata publike, shëndetësia, e arsimi, e duke e përfshirë çdo fushë të qeverisjes dhe ekonominë.” shtoi kryeministri. Rikujtoi dhe suksesin e platformës shtetërore e-Kosova, e cila tashmë i ka 880,000 përdorues të regjistruar, dhe ofron mbi 155 shërbime elektronike.
Duke theksuar se shërbimet duhet ta kenë në fokus qytetarin dhe parimin themelor të gjithëpërfshirjes, kryeministri Kurti potencoi se platforma të cilën po e lansojmë sot, do të ofrojë një numër shërbimesh të reja.
“Këto shërbime rrisin interaksionin në mes të organeve komunale dhe qytetarëve, duke e bërë qytetarin pjesë aktive të vendimmarrjes dhe duke bërë që ai të jetë i njoftuar në kohë reale për zhvillimet përkatëse në komunën e tij” u shpreh kryeministri. Ai theksoi dhe se kjo platformë do të përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien brenda administratave komunale, përmes përditësimeve në kohë reale dhe qasje në informacione të rëndësishme.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se përmes kësaj platforme ofrohet mundësia që qytetarët të jenë të informuar në kohë reale, të kenë të dhëna të hapura, të qasshme si dhe të rritet interaksioni në mes të qytetarëve dhe organeve komunale.
Kurse, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, deklaroi se Reforma e Administratës Publike ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së punës në institucionet tona dhe atë të shërbimeve që u ofrojnë qytetarëve dhe bizneseve. “Tashmë në praktikë është parë se Reforma në Administratë Publike dhe digjitalizimi janë procese të pandashme”, tha ai.
Ndërkaq, në fund u bë edhe prezantimi i gjashtë shërbimeve të reja që ofrohen nga platforma e-Komuna, e që janë: transmetimet direkte të mbledhjeve të asambleve komunale; raporto problemin në komunën tuaj; komuniko me zyrtarin komunal; inicio dhe kontribuo në debatet publike për komunën tuaj; informacione mbi komunat dhe pasuria e zyrtarëve komunalë. /2lonline/