Lajmi rreth ndërhyrjes me ekskavator në Kalanë e Artanës shumë shqetësues
Bajrush Ymeri
Qytetarë të nderuar,
Lajmi rreth ndërhyrjes me ekskavator në Kalanë e Artanës ka qenë shumë shqetësues. E di qe të gjithë ju e keni përjetuar rëndë, ashtu siç e kam përjetuar edhe unë.
Sa për informatën e juaj po ju jap disa të dhëna rreth procesit të restaurimit të kalasë. Ka qenë 3 nëntori i vitit 2011, kur komunën tonë e ka vizituar ish shefi i operacioneve i Komisionit Evropian z.Cristof Stock.
Pas vizitës që i kemi bërë kalasë, kam kërkuar nga ai të na ndihmojë sepse e kam pas parasysh që është projekt i kushtueshëm dhe ne nuk kemi asnjë mundësi ta restaurojmë.
Pastaj vizita ime në Bruksel gjatë muajit maj të vitit 2012,ku kisha rastin ta prezentojë nevojën për restaurimin e kalas sigurisht që ka ndikuar dukshëm që ky projekt të përkrahet nga KE dhe nga UNESCO.
Natyrisht që kam qenë shumë i gëzuar që është përkrahur ky projekt, dhe mezi kam pritë që të fillojnë punimet.
Projekti dhe tenderimi është bërë nga KE dhe UNESCO dhe pastaj si punëkryes është përzgjedhë një kompani kroate.
Isha i lumtur që një kompani kroate është përzgjedhë për ta kryer restaurimin, sepse e kisha parasysh që kroatët kanë përvojë dhe traditë në trashëgimin kulturore.
Por, fatkeqësisht ashtu siç ligjet ua mundësojnë, ata (kroatët) angazhuan një kompani serbe si nënkontraktorë e quajtur KOTO.
Fakti që kur filloi implementimi nuk isha kryetar komune dhe po ashtu se kjo kompani ishte serbe, unë i kisha dyshimet e mia, andaj kam kërkuar ndihmë edhe nga ministria e kulturës e edhe nga instituti i monumenteve të Kosovës, që të caktohen ekspert të kësaj fushe që do ti përcillnin punimet.
Fatkeqësisht kërkesa ime nuk është përfillë dhe kompania ka angazhuar punëtorë, dhe punët janë kry pa ndonjë mbikëqyrje profesionale, dhe si rezultat i kësaj muret e kalas filluan të shemben pas një viti.
Natyrisht, kjo punë e keqe që është bë ka detyruar KE dhe UNESCO-n të kërkojnë nga e njëjta kompani, që të fillojë që ta sanojë gjendjen e krijuar.
Ata para disa ditëve kanë filluar punimet dhe sot siç e keni pa edhe ju kanë intervenuar me ekskavator që natyrisht është e papranueshme dhe e patolerueshme sepse muret e kalasë janë aq të ndjeshme sa që nuk e durojnë as çekanin e lere më ekskavatorin.
Shpresojë shumë që ministria e kulturës, instituti i monumenteve të Kosovës, KE dhe UNESCO e kanë kuptuar se duhet angazhuar ekspert të kësaj fushe, që më në fund të bëhet një restaurim i mirëfilltë ashtu siç e meriton kjo kala.