Me 48 vota për, asnjë kundër e një abstenim është miratuar Statuti i ri i FFK-së në Kuvendin e Jashtëzakonshëm, që u mbajt sot në selinë e federatës.
Ky Statut është hartuar nga ekspertë të FFK-së dhe të UEFA-s e FIFA-s. Kuvendi nisi me intonimin e himnit shtetëror, derisa me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua presidenti Agim Ademi, njofton FFK.
Ai theksoi se hartimi i Statutit është bërë nga tre ekspertë të FIFA-s, dy të UEFA-s dhe ekspertë të FFK-së.
“Ne e kemi planifikuar që këtë Statut ta miratojmë në Kuvendin e rregullt të punës, por meqenëse miratimi i Statutit ishte një nga kriteret për licencim nga MKRS, ne kemi ftuar Kuvendin e Jashtëzakonshëm. Besoj se miratimi i këtij Statuti do të na e sjellë edhe licencimin nga MKRS. Bazamenti i këtij Statuti është në UEFA e FIFA, pasi për herë të parë këto dy institucione e kanë një Statut unik dhe mund të them se ne e kemi fatin që po thuajse jemi federata e parë që e aplikon këtë statut model”, ka theksuar Ademi.
Punimet e Kuvendit i ka përshëndetur edhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, i cili përgëzoi hartimin e Statutit të ri dhe shprehu shpresën se ndryshimet e bëra në këtë statut do të jenë në dobi të futbollit dhe të gjitha klubeve. P
o ashtu, të pranishmit në emër të presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin i përshëndeti Luca Nicola, derisa me një shkresë këtij kuvendi iu drejtua edhe FIFA, e cila përgëzoi hartimin e Statutit të ri.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Sportit si dhe ata të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Pas fjalimeve, u.d. Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Hodaj, paraqiti disa prej ndryshimeve më të rëndësishme në draft-Statut dhe më pas hapi debatin për delegatët.
Tre delegatë shprehën pakënaqësitë e tyre lidhur me procesin e draftimit të këtij statuti, për çka nga presidenti Ademi u udhëzuan që në të ardhmen ato t’i paraqesin me shkrim dhe në kuvendet e ardhshme t’i paraqesin për miratim.
Ndërkaq, delegati Tahir Batatina përgëzoi punën e bërë dhe theksoi nevojën për t’u miratuar ky Statut, në mënyrë që t’i hapet rruga licencimit të FFK-së nga MKRS, e që sipas tij zhagitja e këtij procesi më së shumti po i dëmton klubet.
Krahas Statutit të ri, delegatët e Kuvendit miratuan me shumicë votash edhe Rregulloren e Kuvendit të Punës si dhe Rregulloren e Këshillit Mbikëqyrës, të cilat po ashtu kanë qenë kritere për licencim nga MKRS.
Në fund, presidenti Ademi falënderoi të gjithë delegatët për vendimin e tyre të arsyeshëm për miratimin e Statutit të ri dhe theksoi se së bashku me KE-në do të vazhdojë të mbrojë interesin e futbollit dhe nevojave të klubeve.
Ai i ftoi edhe delegatët që shprehën pakënaqësi dhe që braktisën punimet e kuvendit t’i thërrasin arsyes, teksa theksoi se është e drejta e tyre që të mendojnë ndryshe, por kudo në botë demkoracia e ka kështu, ku shumica pajtohet e dikush jo, por tha se do të punojë për t’i realizuar edhe kërkesat e tyre, njoftn faqja zyrtare e FFK-së. /2LONLINE/