Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën plenare, drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, më 97 vota për, asnjë kundër dhe asnjë aBstenim, miratoi Rezolutën nëpërmjet së cilës dënon sulmin terrorist në veri të organizuar nga Serbia.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e paraqiti përmbajtjen e rezolutës para deputetëve, me propozim të grupeve parlamentare.
Në tekstin e rezolutës thuhet se Kuvendi i Republikës së Kosovës dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës.
Kuvendi nëpërmjet kësaj rezolute vlerëson punën, angazhimin dhe rezultetet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të smbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit.
Po ashtu, Kuvendi kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përmbashkëta euro-atlantike.
Në pikën shtatë të kësaj rezolute, Kuvendi konstaton nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë.
Seanca plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të heroit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit nga një grup terrorist serb.
Kryetari Konjufca njoftoi se pas konsultimeve me grupet parlamentare është vendosur që kjo seancë të mos nis me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet parlamentare, por që deputetët të propozojnë një projektrezolutë lidhur me dënimin e sulmit terrorist serb në veri të Kosovës.
Por, paraprakisht ai tha se do të flasin përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe kryeminstri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kuasri- Lila, duke iu referuar rënies në detyrë të rreshter Afrim Bunjaku, tha se Kosova të dielën e kaluar humbi një rreshter, por fitoi një hero.
Sulmin terrorist në veri të Kosovës, ajo e vlerësoi të derigjuar direkt nga Beogradi zytar.
“E diela që lamë pas shpërfaqi një plan të organizuar dhe të derigjuar direkt nga Beogradi, për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër. Prej mjeteve logjistike, ushtarake, transportimit të armatimit, e tëra ishte skenar i përgatitur në kampet e trajnimit në Serbi, për të cilat autoritetet e sigurisë dhe intelegjencës së Kosovës ka muaj që kanë paralajmëruar. Dëshmitë nga vendi i ngjarjes, fotografitë dhe sasia e armatimit plotësojnë skenarin, i cili parashihte luftë, ndarje dhe destabilizim të Kosovës në një rrugë të pakthim për vendin tonë dhe për rajonin”, theksoi Kusari- Lila.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputeti Memli Krasniqi, pasi dënoi edhe njëherë sulmin terrorist në veri të Kosovës, tha se mposhtja e grupit terrorist në Banjskë nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës.
Ai shtoi se për PDK-në, është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd.
“Në periudha sfiduese si kjo, kur është cënuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë, për PDK-në, siç ka qenë gjithmonë, interesi nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha. Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë. Objektivi ynë është të mbrojmë atdheun tonë dhe të garantojmë sigurinë e çdo qytetari pa dallim feje apo etnie.
Prandaj, në këtë periudhë, është thelbësore që të gjithë faktorët politikë shqiptarë të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të qëndrojnë së bashku në mbështetje të vendit tonë”, deklraroi Krasniqi.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deputeti Lumir Abdixhiku, vlerësoi se plani dhe sulmi terrorist në Banjskë ishin të organizuara nga Serbia, në krye të së cilit qëndronte krimineli, tashmë i shndërruar në terrorist, Milan Radojçiq.
Ai tha se qëllimi i këtij sulmi nga Serbia ishte i qartë, krijimi i një realiteti të ri në veri të Kosovës, duke shkaktuar edhe viktima.
Marrë parasysh situatën nëpër të cilën po kalon Kosova, Abdixhiku bëri thirrje për mençuri, në mënyrë që të fitohet edhe beteja politike.
“LDK-ja me të gjithë kapacitetet e saj do të mbështesë institucionet e Kosovës në përballje të tilla pa dyshim. Por sot na duhet mençuri. Atë që e fituam në Banjskë na duhet ta fitojmë me politikë.
Këtë situatë duhet ta përkthejmë në pozicionin e Kosovës. Bashkërendimi me aleatët sot është jetësor. Duhet t’i mbajmë aleatët në krah. Propozimi djeshëm i presidentes së vendit është në vijë me qëndrimin tonë”, ka tha Abdixhiku.
Tutje, kryetari i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës (AAK), deputeti Ramush Haradinaj tha se ajo që ndodhi të dielën ishte një sulm terrorist nga një formacion terrorist i sponsorizuar nga Serbia.
Kjo, shtoi deputeti Haradinaj tashmë është më së e qartë dhe se sulmuesit e morën përgjigjën e duhur.
“Institucionet e sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës në koordinim me aleatët ndërkombëtarë i mposhtën me turp dhe vërtetuan se asnjëherë askush nuk mund ta rrezikojë Kosovën. Një rezolutë që dënon sulmin terrorist dhe sponsorët e terrorizmit është e drejtë dhe se Kuvendi duhet ta miratoj. Në këtë rezolutë kërkoj që të përfshihet kërkesa për hetim ndërkombëtar, i cili do të ndihmonte jo vetëm zbardhjen e imponimit të Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do të ndihmonte edhe bashkësinë ndërkombëtare që të ndëshkojë sponsorët e terrorizmit dhe terroristët”, theksoi Haradinaj.
Më pas, në emër të Grupit Multietnik, deputeti Enis Kervan, tha se i jap mbështetje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët çdo ditë e vënë jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur kushtetutshmerinë e Kosovës.
“Sot, qëndrojmë të bashkuar kundër terroristëve, të cilët mundohen të minojnë përparimin e fituar me shumë vështirësi. Prandaj, sot dhe gjithmonë e kujtojmë heroin Afrim Bunjaku si një oficer të guximshëm, si një simbol të përkushtimit dhe të sakrificës së të gjithë atyre që i shërbejnë Kosovës.
Kujtimi i tij do të na frymëzojë përgjithmonë që të përpiqemi për një të ardhme më të sigurtë. Së bashku si përfaqësues të popullit ne zotohemi ta ndërtojmë trashëgiminë e tij, duke punuar pa u lodhur për të mbrojtur vlerat e demokracisë, paqes dhe drejtësisë, të cilat përcaktojnë të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës”, tha Kervan.
Në vazhdim, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pasi paraqiti një rezyme për sulmin terrorist serb në veri të vendit, tha se sulmuesit të cilët arritën të ikin duhet të ekstradohen, duhet të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës.
“Organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’ duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere, aleate ashtu siç bëri Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj me 29 qershor sivjet. Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar atëherë ajo do ta përsërisë krimin.
Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë, të cilët sulmuan në Banjskë të Zveçanit të dielën janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”, tha Kurti.
Edhe nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Kurti falënderoi të gjitha shtetet, të cilat e dënuan sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit, si pasojë e aktit agresiv të Serbisë dhe për mbështetjen që ato i kanë dhënë Republikës së Kosovës.
“Lufta kundër krimit e terrorit të sponsorizuar nga Serbia vazhdon, dhe ajo do të përfundojë medoemos me fitoren e shtetit tonë të pavarur, Republikës së Kosovës, vlerave dhe interesave të saj, të qytetarëve të saj, të të gjitha komuniteteve të saj, pa dallim”, tha kryeministri Kurti.
Në përfundim të kësaj seance, me rastin e Ditës Kombëtare të Boshnjakëve, fjalë rasti mbajtën deputetët Duda Balje, Bahrim Shabani dhe Samra Ilijaz. /2LONLINE/