Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur vazhdimin e seancës së –IX-të të rregulltë.
Kjo mbledhje është mbajtur përmes platformës online “ZOOM” për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, dhe kanë marrë pjesë kryetari Qëndron Kastrati, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Albert Sermaxhaj, dhe 14 delegatë të cilët mundësuan kuorumin për mbajtjen e seancës.
Në këtë mbledhje për diskutim ishte vetëm një pikë e rendit të ditës: Draft Buxheti për vitin 2021-2023 Sh.02, Nr.20508/17.09.2020.
Pas diskutimeve nga disa delegatë, Draft-Buxheti për vitin 2021-2023 u votua me 14 vota për nga të gjithë delegatët e pranishëm.
I pari i komunës Qëndron Kastrati, ka thënë se buxheti për investime kapitale për herë të parë ka arritur 13 fish më shumë sesa që ka qenë në vitin 2017.
“Për herë të parë në Kamenicë arritëm që buxhetin për investime kapitale ta çojmë në 1.6 milionë euro. Pra, 13 fish më shumë sesa që e kemi gjetur këtë buxhet në vlerë prej 124 mijë euro në vitin 2017. Me buxhetin që u miratua sot nga Kuvendi Komunal, po na hapen rrugët që kërkesave bazike të qytetarëve t’u përgjigjemi pozitivisht. Tek e fundit, çdo gjë bëhet për ta. Pos kësaj, buxheti i dedikuar për investime kapitale do jetë rreth 2 milionë euro, duke ia shtuar edhe grantin që kemi fituar në kuadër të performancës së mirë komunale për vitin 2019”, ka thënë ai.
Ndër të tjera kryetari Kastrati ka falënderuar asambleistët të cilët me votën e tyre për vendosën për mirëqenien e qytetarëve të Kamenicës.
“Zhvillimin e një komune të vogël siç është Kamenica, duhet ta kemi prioritet të gjithë, pa dallim, pavarësisht se disa asamblistë që thirren për interesa të popullit, prapë zgjodhën interesat politike sesa nevojat e qytetarëve. Sidoqoftë, unë i falënderoj të gjithë asamblistët që pavarësisht presioneve që u janë shkaktuar, ata vendosën për mirëqenien e banorëve të Kamenicës!Urime”, ka theksuar ai. /2LONLINE.com/