Për nder të 20-vjetorit të çlirimit, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur sot një seancë solemne, me pjesëmarrje të kryetarit Lutfi Haziri, Mehmet Halimit si Qytetar Nderi të kësaj komune, sikurse edhe të deputetëve, përfaqësuesve të policisë, prokurorisë, familjeve të dëshmorëve e përfaqësuesve të organazitave të dala nga lufta e UÇK-së.
Kryesueja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi Emini, pasi ka uruar për këtë ditë historike, tha se qershori për Gjilanin dhe Kosovën ka simbolikë të lirisë dhe shpresës.
Në këtë rast, ajo ka kujtuar me pietet dëshmorët, heronjtë dhe martirët e kombit, ndërkaq ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e miqve ndërkombëtar në momentet më të rënda për popullin e Kosovës.
Mehmet Halimi, i cili është edhe Qytetar Nderi i Gjilanit, në adresimin para asambleistëve, ka deklaruar se sot po e shënojmë 20-vjetorin e lirisë në mënyrë madhështore, duke shtuar se mburret me kontributin deri në flijim të dëshmorëve që prej Idriz Seferit, Mulla Idriz Gjilanit e deri tek kolosi tjetër i Karadakut, Agim Ramadani.
Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK’së, Avdyl Aliu, ka shprehur respekt të thellë për secilin që ka kontribuar për ditët e sotme, në veçanti respekt deri në përulje për heronjtë, dëshmorëve dhe martirët e kombit të cilët ranë në altarin e lirisë.
“Nga këtu, zotohemi se do ta bëjmë më të mirën për të mirën e përgjithshme. Është tepër e rëndësishme që që shqiptarët për asnjë moment nuk i ka lënë vetëm lavdia dhe krenaria. Mirënjohje të thellë edhe për bashkësinë ndërkommbëtare për mbështetjen e madhe në orët e liga për neve”, ka thënë Aliu.
Ndërkohë, gjatë adresimit para kuvendarëve, shefi i Grupit të Këshilltarëve të VV-së, Nevzad Isufi, pohoi se na bënë krenar fakti që populli i Kosovës, gjatë gjithë ekzistencës së tij, asnjëherë nuk ka bërë luftë pushtuese, duke shprehur mirënjohjen për luftëtarët e lirisë dhe bashkësinë ndërkombëtare të cilët intervenuan për ta shpëtuar popullin e Kosovës.
Në fund, shefi i GK të PDK’së, Riza Abdyli, ka thënë se është e rëndësishme që për këto 20 vite asnjëherë nuk e kemi harruar miqtë tanë që i dhanë fund tragjedisë së Kosovës, sikurse edhe të gjithë burrat dhe gratë që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e sotme.
Gjatë ditës, mbahen edhe aktivitetet tjera, ku përfshihet parakalimi i njësiteve të FSK-së, Policisë së Kosovës, Njësitit të Zjarrfikësve, mantelbardhëve, rojet e pyjeve, artizanatet, fëmijët parashkollor, ekspozitë e hapur me performancë artistike nga shkolla e artit pamor dhe shkollës së muzikës.