Kushtrim Kadriu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e Lëvizjes Vatra, ripërsëriti edhe njëherë synimin e tij për të qenë në krye të Kuvendit Komunal të Gjilanit. Për më tepër, ai thotë se pas mbledhjes së nënshkrimeve dhe procedurave të mëpastajme pret që brenda kësaj jave të ftohet seanca e jashtëzakonshme ku fillimisht do të shkarkohej kryesuesi aktual, Arianit Sadiku, e më pas edhe të zgjidhet kryesuesi i ri, pozitë kjo që e synon vet ai.
Siç dihet, pas zhvillimeve të fundit në skenën politike të Gjilanit, ku kemi pas prishje të koalicionit Vetëvendosje – PDK, tani në Kuvend pritet të ketë ndryshime pasi që shumica e deritanishme tani është pakicë.
Kadriu, që e konsideron veten alternativë më të mirë për të kryesuar Kuvendin tani e tutje, thotë se synimin e tij, ia ka bërë të qartë edhe pjesë tjetër të opozitës, bashkëpunëtorëve të tij të këtij tabori dhe pret që pikërisht ata me votën e tyre t’ia mundësojnë arritjen e synimit.
“Po besoj shumë se do t’i kem votat e mjaftueshme që do të mbështetnin propozimin që unë të jem kryesues Kuvendi. Kam pas bisedime me kolegët opozitarë, besoj se ekziston vullneti dhe ka me pas vota mjaftueshëm. Pres vota nga LDK, si partia më e madhe, pastaj nga PDK, dhe AAK, vota këto që do të mjaftonin, por se nuk përjashtoj as mundësinë që ndonjë votë të marrë edhe nga anëtarë të Vetëvendosjes”, thotë për Portalin 2LONLINE, Kadriu i Vatrës.
Megjithatë, ai pranoi se mbështetjen nga opozitarët, veçmas nga LDK-ja, nuk e ka prerë të konfirmuar, por se nga ajo që është diskutuar me përfaqësues të tyre dhe duke vlerësuar se ka qenë edhe anëtari më aktiv i Kuvendit, e ka besimin e plotë se do t’i ketë votat e tyre, përveç, siç u shpreh ai, nëse ndodh ndonjë “tradhti” nga ta.
E, nëse nuk ndodh kjo “tradhti”, siç thotë ai, do të ulet në ulësen e kryesuesit me premtimin se do ta zhbllokoj ngërçin politik në Kuvend, do të vendos rregull dhe disiplinë, do të bëjë që të ketë përgjegjësi në Kuvend, madje tha se edhe ka bërë edhe planin e punës.
Si do që të jetë mbetet të shihet, a do të ftohet, nëse po, kur do të ftohet seanca e jashtëzakonshme, a do të shkarkohet kryesuesi aktual dhe a do të ketë edhe të propozuar të tjerë për pozitën e kryesuesit dhe cila do të jetë rrjedha e mëtutjeshme e ngjarjeve në këtë drejtim.
Përndryshe, ka edhe alternativa tjera që qarkullojnë kuluareve politike të Gjilanit, përbërjeve tjera të koalicioneve, që do t’i prishnin matematikat e opozitës që tani më ndihet shumicë karshi pozitës që, tani për tani ka mbetur pakicë. /2LONLINE/