Sot u zgjova më vonë se zakonisht, ditë feste dhe pushimi. Dola në tarracë dhe ia lëshova sytë qytetit tim të bukur. Dikur, kur isha nxënës i shkollës së mesme, mendoj kush janë ata njerëz të cilët mund ta shikojnë qytetin nga kjo ndërtesë, nga e cila tash unë, për fat të keq (nuk kam mundësi të kem zgjidhje tjetër) mund ta shikoj.
Ismet AZIZI
Sinqerisht ua kisha shumë lakmi. Por tash mendoj ndryshe, mendoj se dikush po do nga mosdija me e shkatërrua këtë qytet me një qendër të bukur të cilën, në fillim pas çlirimit, kishin arritur ta çlirojnë nga kiosqet ndryshme të cilat pushteti i Serbisë kishte rehatuar njerëzit e vet, duke iu mundësuar të sigurojnë vende pune.
Duke qarë dert me një mik timin, inxhinier të ndërtimtarisë, të të njëjtit mendim se qytetin , jo që janë duke e ndërtua, drejtuesit e qytetit, por janë duke e shkatërruar, mësova se si është zhvilluar qyteti im.
Nga ai mësova se dikur qyteti, në fillim ka pas drejtimin e zhvillimit drejt Artanës (Novobërdës) dhe Kumanovës, mandej drejt Bujanocit, ma vonë drejt Prishtinës . Tash së fundmi drejt Ferizajt. Por se çka po ju duhet tash ta fusin rrugën me tre-katër korsi nëpër qendrën e qytetit, këtë deri më tani nuk doli kush të ma shpjegon dhe të më bindë se është me vend.
Para disa viteve u pat ngrit “ pluhur” rreth rregullimit të parkut të qytetit. Flitej për shumë investime të paarsyeshme, doli të jetë investim i mirë, sepse parku dhe drunjtë e mbjellë megjithatëë u ruajt parku, edhe pse u prenë shumë drunj të vjetër ( siç është rasti pranë kafiterive-Pallasit, për të cilin rast kam shkruar më herët).
Por , tash mbas krejt këtyre investimeve, të zgjerohet rruga në dëm të parkut të qytetit, por edhe të shesheve trotuareve, s’ka kurrfarë kuptimi.
Ky veprim do të ishte më tepër se skandaloz. Në vend që të shkarkohet qendra e nga automjete, dikush nga “ekspertët” e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, planifikon ta ngarkoj dhe ta ndotë e ta ngulfat edhe më tepër qytetin.
Në të kaluarën dhe deri vonë kishte optimist sa i përket rregullimit urbanistik të Gjilanit, edhe pse deri vonë nuk kishte asnjë arkitekt shqiptar e mos të flasim për ekspertë të urbanizmit.
Në fillim të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, Prof, Dr. Qazim Lleshi, njohës i mirë i urbanizmit, ( Nga i cili kam marrë mësim nga dy lëndë studimore: Bazat themelore të urbanizmit dhe Palnifikimi hapsinor) në rubrikën letrat e lexuesve të së përditshmes së vetme Rilindja , për Gjilanin shkruan: “Tashmë i takon së kaluarës së largët aforizma e thurur për këtë qytezë të dikurshme : Gilan he viran, dy mejhane e një hamam,. Mos me kanë edhe shatërvani, vaj halli për Gilanin”.
Profesori Lleshi nuk është në mesin e të gjallëve, ka vite që ka ndërrua jetë. Sikur ta shihte Gjilanin e sotshëm se si duket i rregulluar nga alamet urbanistët tanë, si kishte me reaguar?!
“Qysh në vitet e para të pas luftës së Dytë Botërore arkitektët, që s’ishin aq të moçëm as për moshë as për përvojë, me konceptet vizionare dhe largpamëse të tyre urbanistike projektuan damarin kryesor rrugor perëndim–lindje që ka një gabarit (40-60m) e që do ta lakmonin edhe qytet me mbi gjysmëmiloni banorë. Kësisoj ata i siguruan qytetit “ frymëmarrje të lirë” të trafikut edhe për tërë qindvjetëshin e ardhshëm. Ishte ky, sipas mendimit tonë, i vetmi qytet i Kosovës që zu të projektohej në konceptet e Edward Horward-it ( Qytet kopshte të së nesërmes)”. Ndërsa në lidhjen me “kancerin” e Gjilanit thotë: “Sëmundje e pashërueshme, janë përroskat e këtij dhe qyteteve të ngjashme me pak ujëra rrjedhës në vet indin urban: Prishtina, që tani po i mbulon këto: Vuçitërnës, e , deri diku edhe vet Gjakovës”.
Të njëjtit ekspert të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, investimet marramendëse në rregullimin e shtratit, gjegjësisht shëtitores përgjatë shtratit të lumit në fjalë, e kanë shndërruar në rrugë automobilistike. Krejt këto janë investime nga taksat e qytetarëve gjilanas.
A nuk janë këta ekspertë të urbanizmit të cilët ato pak dyqane afariste që ishin përreth Çarshisë së Xhamisë, që ishte vendosur në kryqëzimin e arterieve kryesore rrugore, edhe vet Xhamisë ia ndryshuan arkitekturën që paraqiste element të renesancës? Edhe dyqanet rreth xhamisë kanë merituar të ruhen.
Dëmet që po u shkaktohet jo vetëm qytetit , por edhe fshatrave është ndërtimi në tokat e bukës. Edhe në të kaluarën nuk u kursyen tokat e bukës. Pothuajse të gjitha objektet e karakterit të posaçëm, përkatësisht industriale, janë ngritur në tokat më të mira të bukës. Humbja e tokave bujqësore vazhdon për çdo vit e më tepër. Kosova për çdo vit i humb 1000 hektar tokë pune në vit. Zyrtarët komunale nuk kanë përgjigje për hektarët e humbur të tokës së bukës.
Të flijohet toka e bukës në llogari të ndërtimit të lagjeve të reja nuk është me vend. Gjilani nuk ka një park kompleks , siç duhet ta ketë një qytet. Ndërtimet po planifikohet me nguti, pa hapësira të gjelbëruara dhe parkingje, e për qytet të ri nuk janë gjetur zgjidhje afatgjate në lokacione tjera, apo për këtë nuk mendohet fare.
Shpresojmë se kryetari Lutfi Haziri, do të reagoj, sikurse reagoi rreth rregullimit të shtratit të Mirushës, i cili i pari e ka kuptua se nuk ujë të mjaftueshëm të rrjedhë , dhe se për këtë arsye nuk mund të jetë i pastër. Po ashtu të shpresojmë nga gjeneratat e reja të ekspertëve në të ardhmen do të marrin mësim e shembuj nga vendet perëndimore, dhe se nuk do të mendojnë se si të pasurohen.
T’i kryejnë obligimet e marra, dhe të jenë të përgjegjshëm para ligjit dhe qytetarëve.