Më mungon zotësia për të kuptuar taktikën e përdorur politike (hilen) të asnjërës prej dy partive, Vetëvendosjes (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që i janë futur negociatave të tej zgjatura për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Por ama, nuk më mungon zotësia për të kuptuar se këto dy parti kanë keqpërdorur në ekstrem besimin dhe pritjen e qytetarëve të durueshëm të Kosovës për formimin e Qeverisë së re.
Shkruan: Gani Neziri
Veçanërisht kanë keqpërdorur besimin dhe shpresën e votuesve të vet, duke luajtur pingpong politik me shpresën e tyre me qëllimin për të krijuar avantazh në mundësinë e përsëritjes së zgjedhjeve.
Sado që e njëjta lojë e pingpong-ut politik mund të ndodhë edhe në shtete evropiane, kjo nuk justifikon në asnjë mënyrë sjelljen e papërgjegjshme të partive tona, LVV dhe LDK, sepse, ne nuk e kemi, shembull, komoditetin austriak.
Kujtoj se e kanë tepruar me “përpjekjet” e përsëritshme dhe monotone për të satën herë me radhë duke torturuar ndjenjat e çiltërta të qytetarëve të ndershëm të Kosovës. Ndërkohë që, padyshim se në përfundim të krejt kësaj do të kenë mashtruar më shumë vetën e tyre duke u ndarë të zhgënjyer me rezultatin final të negociatave hileqare.
Thellësisht jam i bindur se, ( ashtu si po shihet çdo ditë) kurorëzimi i pavullnetshëm do të funksionoj pavullnetshëm por, çuditërisht edhe do të divorcohet pavullnetshëm, (sepse, bashkë me kohën, do të shtohen lakmitë e interesave pushtetare dhe materiale gjithsesi).
Kujtoj se, edhe dashuria brenda familjes harxhohet nëse nuk kultivohet për çdo ditë nga pak. Ndërkohë që, shihet shumë qartë se në mes LVV-së dhe LDK-së nuk ka asnjë lloj dashurie të përbashkët përveç urrejtjes së përbashkët që kanë ndaj PDK-së.
Me këtë rast, me keqardhje përfundoi mendimin tim: përkufizimi i negociatave me hile do të ketë kuptimin e shprehjes së moçme popullore; “Kush mbjellë erën, korrë furtunën!”./2LONLINE.com/