Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në fushatën “Thuaju jo qeseve të plastikës”, të organizuar nga HANDIKOS dhe The Balkan Forum.
Në këtë aktivitet simbolik edhe zyrtarisht janë prezantuar çantat e ripërdorshme të punuara tash e disa muaj nga personat me aftësi të kufizuara.
Kryeministri Kurti tha se është i bindur që Kosova, shteti ynë, si shtëpia e popullit tonë, duhet ta ketë një dysheme të fortë sociale dhe një kulm solid ambiental.
“Pra edhe duhet të kujdesemi për ata të cilët janë më të varfër, më të dobët, të sëmurë apo me nevoja të veçanta, por njëkohësisht edhe duhet ta kuptojmë që burimet natyrore janë të fundme dhe ato janë edhe mjedise jetësore, e jo vetëm lëndë e parë për teknologjinë”, tha kryeministri Kurti.
Duke vlerësuar këtë iniciativë, kryeministri Kurti tha se kemi nevojë për përgjegjësi institucionale dhe vetëdijesim shoqëror, dhe theksoi se ajo çka duhet të bëjnë është krijimi i një grupi punues, në të cilin marrin pjesë ministri të caktuara me komision parlamentar, por edhe shoqëria civile dhe bizneset, në mënyrë që ta bëjnë një paketë legjislative për mbrojtjen e ambientit, duke pasur parasysh edhe praktikat evropiane e shembujt nga vendet e përparuara, por njëkohësisht edhe situatën në të cilën ndodhet Kosova sot.
“Sigurisht se duhet ta synojmë zvogëlimin e plastikës, e në veçanti të qeseve, duke pasur një ndjeshmëri që mbase marketet e mëdha e bëjnë shumë më shpejtë e më kollaj sesa shitësit e vegjël”, u shpreh kryeministri Kurti, duke shtuar se kur e kemi vullnetin dhe dijen do të mund ta fillojmë një program të tillë, që nënkupton edhe zbatim të ligjeve edhe ligje të reja, pikërisht në këtë mandat të cilin porsa e kemi filluar.