Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani, e cila dyshohet se vdiq nga dhuna që ushtroi mbi të partneri i saj.
Kryeministri Kurti duke folur para qytetarëve të pranishëm në varrim tha se vrasja mizore e 18-vjeçares ka sjellë shumë pikëllim dhe shumë zemërim tek të gjithë.
Ai tha se fakti që i dyshuari për vrasjen e saj ka precedentë penalë prej viteve të mëhershme tregon se sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të veprojë pa vonesa, të gjykojë drejt, dhe të ndëshkojë kriminelët e keqbërësit në përgjithësi.
“Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastrukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste, kemi bërë gati ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe të mbrojtjes nga dhuna në familje si dhe strategjinë e re kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje”, tha kryeministri.
Kryeministri Kurti theksoi se në gjashtë muajt e parë të këtij viti 1063 gra e vajza kanë lajmëruar për dhunë në familje. “Kjo tregon se është rritur besimi në institucione, por njëkohësisht që edhe përgjegjësia jonë si institucione duhet të jetë më e lartë se asnjëherë më parë”, tha ai.
Kryeministri u shprehu ngushëllime të sinqerta familjarëve për humbjen e Marigonës, të gjithë qytetarëve të Ferizajt dhe mbarë popullit të Kosovës.
“U prehtë e qetë Marigona, e për t’u prehur me të vërtetë e qetë duhet të sjellim drejtësi për të dhe për të gjitha viktimat e tjera”, tha ai. /2LONLINE.com/