Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Kosovë, Rastislav Kostilnik, nga i cili pranoi urimet për marrjen e detyrës dhe për suksese në përgjegjësitë e reja.
Kryeministri Kurti e falënderoi z. Kostilnik për vizitën dhe për mbështetjen në liberalizimin e vizave për Kosovën dhe i bëri thirrje Sllovakisë që ta shtyjë përpara këtë vendim sa më shpejtë për qytetarët e Kosovës. Po ashtu kryeministri Kurti shprehu interesimin për zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve dhe i kërkoi Sllovakisë që t’i bashkohet grupit të BE-së që e njeh Kosovën.
Kryeministri Kurti mirëpriti interesimin e Sllovakisë për dialogun dhe theksoi se ai duhet të jetë i mirëpërgatitur, me një qasje transatlantike dhe transformative, të udhëhequr nga vlerat demokratike.
Ai theksoi edhe faktin që Sllovakia si vend anëtar i NATO-s dhe i BE-së mund të mbështesë dhe të shtyjë përpara anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike, si dhe kërkoi mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Kosovë, Kostilnik, falënderoi kryeministrin Kurti për pritjen dhe shprehu vullnetin për vazhdim të bashkëpunimit bilateral. Ai theksoi gatishmërinë e Sllovakisë për mbështetje në fushën e sundimit të ligjit dhe të ekonomisë.
Në takim u diskutua edhe për situatën me pandeminë Covid-19 në të dy vendet, si dhe masat e ndërmarra nga qeveritë për ndaljen dhe uljen e trendit të infektimeve.