Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim, morën pjesë në ceremoninë e rifillimit të procesit të vaksinimit me Pfizer, donacion ky i Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se kjo sasi e parë e vaksinave Pfizer, përveç që është shpresëdhënëse, na bënë mirënjohës ndaj shfaqjes së përkrahjes së BE-së në përpjekjet tona për një mjedis sa më të sigurt, jo vetëm për qytetarët tonë, por edhe për të mirëpritur qytetarët e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kurti theksoi se sot po rifillohet procesi i vaksinimit me qëllim që të mos ndalemi dhe të vazhdojmë deri sa të arrijmë objektivin tonë për vaksinimin e 60 për qind të popullsisë.
Qeveria, siç u shpreh ai, është duke punuar pa u ndalur për të rritur furnizimin me vaksina dhe janë në rrugë të drejtë në përmbushjen e këtij qëllimi.
Ndërkaq, Komisioneri Várhelyi tha se kjo është një ditë e mrekullueshme për Ballkanin Perëndimor dhe është ditë e mrekullueshme për Kosovën. Kosova, tha ai, do të marrë pothuajse 100 mijë vaksina nga Pfizer/Biontech. Komisionieri Várhelyi veçoi se në këtë kontribut i tërë sektori shëndetësor i Kosovës do të mund të vaksinohet.
“Do të vazhdojmë të punojmë bashkë me kryeministrin për të siguruar më shumë vaksina, në mënyrë që të vaksinohen të gjithë”, tha ai.