Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel dhe një delegacion të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), të përbërë nga z. Dominique Hautbergue, udhëheqës i Zyrës Rajonale së AFD-së për Ballkanin Perëndimor, znj. Cécilia Maronnier, atashe e bashkëpunimit në Ambasadën Franceze në Kosovë, znj. Florence Dobelle, shefe e rajonit për shërbim ekonomik, dhe znj. Mirela Mata, udhëheqëse e Misionit strategjik dhe operacional të AFD-së për Shqipëri dhe Kosovë.
Fushëveprimtaria e AFD-së në Ballkanin Perëndimor përqendrohet në katër prioritete kryesore: zgjidhje e qëndrueshme urbane, menaxhim i qëndrueshëm i territoreve dhe ruajtja e burimeve natyrore, mbështetje për tranzicionin e energjisë dhe modele të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse ekonomike dhe politike.
Sipas z. Hautbergue, deri në fund të vitit 2021, portfolio i investimeve nga AFD-ja në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të arrijë deri në 400 milionë euro. Kosova tashmë ka nënshkruar marrëveshje me Republikën e Francës, marrëveshje e cila e mundëson veprimtarinë e AFD-së edhe në Kosovë.
Kryeministri Kurti e falënderoi delegacionin për vizitën dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Franca ka dhënë për Kosovën. Ai tha se dy shtyllat kryesore të programit qeveritar janë punësimi dhe drejtësia. Me delegacionin nga AFD-ja u diskutua edhe për fushat me interes të përbashkët, sikurse zhvillimi i sektorit privat, energjia e ripërtëritshme, modernizimi i infrastrukturës dhe përkrahja me ekspertizë të nivelit qendror dhe lokal qeverisës. /2LONLINE.com/