“Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase progresit në Shqipëri dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të shqiptarëve kudo. Për realizimin e tyre Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë,” tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën për shtyp, pas takimit me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit për më shumë drejtësi, barazi, zhvillim e mirëqenie për shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe në gjithë rajonin.
“Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik në mënyrë që qytetarët, shërbimet, kapitali e mallrat të lëvizin sa më lirshëm. Nëse ka vende ku kjo mund dhe duhet të bëhet sa më shpejtë është pikërisht Kosova dhe Shqipëria sepse jo vetëm që e njohim mirë njëra tjetrën por e kemi edhe besimin e plotë te njëra tjetra,” tha ai.
Ndërsa kryeministri Rama u shpreh i lumtur që po viziton Prishtinën menjëherë pas sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Një nga përparësitë e Shqipërisë, si anëtare e plotë e OKB-së, do të jetë nxitja e njohjes së Kosovës nga të gjithë, si përpjekje që edhe formalisht të njihet Kosova”, tha ai.
“Në radhë të parë, Serbia duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur keq për manovrat teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë, veriun e Kosovës, sikur pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar apo nga fantazmat e ushtrisë së luftës së mundur njëzet vite më pare, sikur kanë dalë nga varri me pretendimin se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë” shtoi kryeministri Rama.
Ai theksoi se aplikimi i reciprocitetit është jo vetëm normë legjitime e Kosovës, por edhe një marrëveshje e arritur me kohë mes dyja qeverive respektive.
“Qëndrimi i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, qysh nga çasti i parë që është shfaqur ky konflikt. Kosova është e drejtë dhe pikë”, tha Rama.
Në përmbyllje të konferencës, kryeministri Kurti theksoi se gjatë takimit rreth një orë e gjysmë ndërmjet kabineteve qeverisëse, më shumë kanë diskutuar ministrat sesa dy kryeministrat dhe se gjithçka ka qenë me qasje zhvillimore. Ai shtoi se “për një orë e gjysmë nuk janë përmendur as fjala Ballkan e as Serbi, por veç Kosovë dhe Shqipëri”.
Kryeministrat bën të ditur se në takim u bisedua për të gjitha fushat e qeverisjes së mire. Ata konfirmuan se janë dakorduar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes dy shteteve më herët dhe se kanë filluar përgatitjet për mbledhjen e ardhshme ndërmjet dy qeverive. /2LONLINE.com/