Refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës është pengesë e vazhdueshme ndaj bashkëpunimit rajonal. Kosova nuk mund të angazhohet në iniciativa që janë të përshtatura për ta mohuar statusin e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur; do të angazhohemi vetëm si të barabartë, ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, në Tiranë.
Samiti që bëri bashkë në takim liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerin Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi, kishte në fokus zbatimin e planit ekonomik dhe të investimeve të paraqitur për rajonin nga Komisioni Evropian si edhe rrugën përpara për në samitin e Procesit të Berlinit me udhëheqësit e rajonit në korrik.
Në fjalën e tij kryeministri Kurti ka thënë se Shqipëria, Kosova, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovinë dhe Serbia ende mbeten jashtë BE-së. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në Evropë, por BE-ja akoma nuk është Evropë, ka thënë ai, gjersa ka propozuar ndryshimin e modelit të angazhimit dhe të bashkëpunimit në të ardhmen mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Për të ecur përpara na duhet një kornizë e re bashkëpunimi, e cila bazohet në vlera të përbashkëta dhe në një zotim për një sërë parimesh thelbësore. Kjo kornizë e re do të quhet Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Juglindore – ose SEFTA, ka thënë kryeministri Kurti.