Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje,në një konferencë për media, ka thënë se pushteti lokal në komunën e Dardanës dhe qytetarët e kësaj komune po kalojnë në një fazë të vështirë. “Duhet të shpjegojmë se qytetarët e Dardanës i dhanë besimin një kryetari të ri të zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Qëndron Kastratit, i cili më pas e shpërdoroi këtë besim”.
Kurteshi tha se në datën 9 Janar, Qëndron Kastrati dha dorëheqje nga pozitat e tij drejtuese në Lëvizjen Vetëvendosje, por kurrë nuk dha dorëheqje nga të qenurit anëtar, dhe çka është edhe më e rëndësishme nuk dha dorëheqje nga pozicioni i Kryetarit të Komunës së Dardanës. Qëndron Kastrati e di mirë se këtë pozicion nuk do ta kishte fituar kurrë pa Lëvizjen Vetëvendosje dhe aktivistët e saj, dhe programin politik për zgjidhjen e problemeve në Dardanë. Për më shume. ai bëri sikur qëndroi anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, deri sa ia pamë emrin në listën e Kryesisë së PSD-së, mbi katër muaj më vonë në maj. Ai veproi tinëz për të ardhur deri në pushtet, dhe më tej veproi sërish në mënyrë tinzare për ta konsoliduar pushtetin e tij në Komunë, duke vazhduar mashtrimin për pesë muaj me radhë.
“PSD-ja e Shpend Ahmetit dhe Qëndron Kastratit, dje morën një shpërmblim personal nga Koalicioni Qeverisës i Kosovës, i përbërë nga PDK-AAK-NISMA-AKR dhe Listës “Srpska”. Meqenëse, PSD-ja është kthyer në patericën që po mban në këmbë këtë qeveri në pushtetin qëndror, duke i bërë numrat për kuorum në Kuvend, atëherë kjo qeveri e delegjitimuar ia ktheu dje favorin PSD-së në Dardanë, duke ia bërë Qëndron Kastratit numrat në Asamblenë Komunale për të shkarkuar kryesuesin e Kuvendit Komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, Kadri Veseli dhe Goran Rakiq ia kthyen borxhin Shpend Ahmetit dhe Qëndron Kastratit në Dardanë. Mirëpo çmimin e këtij “borxhi” në fund dihet se kush do ta paguajë: qytetarët”, ka thënë Kurteshi.
Ai shtoi se si pjesë e këtij plani tinzar të Qëndron Kastratit, më herët ai pati shkarkuar edhe një drejtoreshë të arsimit në Komunë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo kishte përmbushur brenda vitit të parë 6 prej 10 premtimeve për gjithë mandatin 4 vjeçar në sektorin e arsimit në Dardanë. Në vazhdim të këtij sulmi, ai dje orkestroi shkarkimin e jashtëligjshëm të kryesuesit të Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ekzistojnë një varg shkeljesh procedurale dhe ligjore nga momenti i nismës për këtë shkarkim e deri te realizimi, përmes një seance shtesë dhe të parregullt.
“I shpjegojmë qytetarëve se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë asnjë herë në koalicion me PSD-në në Dardanë. Për diçka të tillë nuk ka asnjë vendim nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes. Shkeljet që kanë ndodhur dje janë të papranueshme dhe me pasoja të rënda për qytetarët e Dardanës. Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje do të ndërmarre të gjitha veprimet ligjore për të kundërshtuar shkeljet qe kane ndodhur. Lëvizja Vetëvendosje! as nuk dorëzohet, as nuk tërhiqet, dhe do të angazhohet deri në fund për të sjellë drejtësi për qytetarët e Dardanës dhe Kosovës”, ka thënë Sami Kurteshi i Vetëvendosjes, njëherësh deputet në Parlamentin e Kosovës.