Sami Kurteshi, kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, nga Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, konferencën e radhës e ka mbajtur pranë lumit “Stanishorka” në Gjilan ku ka shpalosur prioritetet e tija dhe të Vetëvendosjes për çështjen e ujërave të zeza, rregullimin e lumenjve, nëse ai do të drejtojë Gjilanin për katër vitet e ardhshme.
Kurteshi ka thënë se sot janë këtu për ta parë gjendjen reale si është me ujërat e ndotura dhe ujërat e zeza, në Komunën e Gjilanit dhe lumi “Stanishorka”, është një ndër shembujt më të rëndë, e ky lum kalon nëpër qytetin e Gjilanit.
Ai ka thënë e Lëvizja Vetëvendosje dhe ai si kryetar i komunës kanë bërë një projekt konkret për sanimin e ujërave të zeza, brenda mandatit katërvjeçar.
Në këtë projekt janë të planifikuar 10 impiante që do të ndërtohen në Komunën e Gjilanit dhe në qytetin e Gjilanit. Do të jenë impiante nëntokësore që do të pastrojnë ujërat dhe mbi to do të ndërtohen parqe në të cilat do të mbillen nga 500 drunj, lule dhe fidane të ndryshme dhe do të bëhen parqe rekreacioni.
Këto impiante, bashkë me kanalizimin që do të ndërtohet për bartjen e ujërave të zeza, dhe do të jenë të ndara nga kanalizimi i të reshurave atmosferike, sipas Kurteshit, e kanë një kosto prej rreth 10 milion eurosh.
Ai tha se sigurimi i këtyre mjeteve është i mundshëm nga buxheti i komunës, për investime kapitale, nga të ardhurat vetanake të komunës por edhe nga donacionet e ndryshme që jepen për sanimin e gjendjes dhe pastrimin e ambientin.
“Ne jemi zotuar që ujërat e zaza brenda mandatit katërvjeçar do të hiqen në Komunën e Gjilanit dhe me një kosto shumë më të vogël sesa i kanë planifikuar subjektet tjera”, ka thënë Kurteshi.
Ai shtoi se në komunën e Gjilanit nuk ka asnjë rrjedhë natyrale e ujit që nuk është ndotur nga ujërat e zeza dhe helmet e ndryshme që hedhen në to, e këto të gjitha derdhen në Moravë që është arteria kryesore e ujërave të Gjilanit.
“Asnjë nga qeverisjet e tanishme nuk kanë ndërmarrë veprime, por vetëm tani në kohën e fushatës janë ndërmarrë disa veprime në Mirushë për mbulimin e saj, por edhe ajo nuk ka bërë asnjë zgjidhje përveç se është bërë një zbukurim, ndërsa ujërat e zeza nuk pastrohen as aty dhe kundërmimin nga erërat e keqe e kemi në qendër të qytetit si edhe këtu në këtë vend”, ka thënë Sami Kurteshi i Vetëvendosjes.