Vdekja e dëshmitarëve që kanë përjetuar luftën, që kanë parë e dëgjuar tragjeditë familjare, që kanë përjetuar ankthin e trishtimin, që kanë përjetuar vrasjen e familjarëve të tyre, vrasjet e ngadalshme, dhunimet para syve të tyre, zhdukjen e familjarëve, që kanë parë mizoritë serbe me sytë e tyre, është e dhimbshme, është e pafalshme për një shoqëri dhe për institucionet e drejtësisë.
Nga Musa Sabedini
Dëshmitarët e masakrave të rënda dhe të atyre që njihen si më të rëndat në Kosovë, në asnjë rast nuk është dashur të shkojnë nga kjo botë, pa u incizuar, pa u marrë deklarata prej tyre dhe pa ofruar dhe deponuar dëshmi në polici, prokurori e gjykata. Dyshoj se shumë dëshmitarë të rëndësishëm, tashmë kanë vdekur, disa janë vetëm me kujtime nga e kaluara e disa ende vazhdojmë t`i injorojmë, edhe pse ata i kemi çdo ditë para syve tanë.
“Dëshmitarët po vdesin”, këtë titull pothuajse e kam shkruar hiq më pak se në vitin 2002, pra menjëherë pas luftës, kohë kjo kur dëshmitarët e krimeve serbe, ishin të freskët, kishin memorie të pastër, i njihnin të dyshuarit, dinin emra e mbiemra, kishin shënime të sakta, madje dhe foto të shumta.
Me kalimin e kohës, dëshmitarët potencialë për çdo gjykatë ndërkombëtare filluan të harrohen, filluan të lihen pas dore. Policia, Prokuroria dhe Gjykatat nuk kishin guxim ose e kishin të ndaluar nga UNMIK-u që të hetonin mbi krimet serbe. Një lëshim katastrofal dhe i pafalshëm për Kosovën. Betejën për ta mundur regjimin e Millosheviqit dhe ata kriminelë që ende jetonin të lirë, tashmë Kosova e kishte humbur. Mungonin dëshmitë, mungonin provat e deklaratat e deponuara. Gratë e vajzat e dhunuara, gjithashtu ishin të lëna pas dore. Thjesht, dëshmitarët duhej përpunuar dhe mësuar se si të kërkonin të drejtat e tyre.
Më kujtohet nga gjykimi i Millosh Jokiqit nga Vitia, se si dëshmitarët kryesorë, tërë kohën e përsërisnin një fjali në gjykatore: ”Zoti gjykatës, kur kryhet gjykimi se kemi për të punuar tokat tona”. E dhimbshme gjithsesi, por e kuptueshme në aspektin njerëzor. Pse? Sepse asnjë avokat apo prokuror nuk e kishin përgatitur dëshmitarin. Nuk e kishin njoftuar se dëshmia e tij dhe e të tjerëve është thelbësore që të dënohen serbët e dyshuar.
Kur vdes dëshmitari, vdes edhe rrëfimi i tij, vdes pjesa më interesante e një tragjedie. Por, mbetet historia e tij dhe mbetet dëshmia e tij, sado që më e zbehtë. Ka ende dëshmitarë kyç në masakrat e Llashticës, Llovcës, por edhe në qytetet e tjera të Kosovës, që dinë shumëçka për krimet serbe dhe, ende heshtin. Ata nuk heshtin se nuk kanë çfarë të tregojnë, por heshtin sepse nuk ka kush t`i dëgjojë, sepse po heshtim të gjithë, sepse po bëjmë sehir të gjithë.
I tërë orientimi mediatik, po edhe politik, sytë i ka të drejtuar nga Gjykata Speciale. Dhe i tërë mundi i analistëve dhe i opinionistëve, fatkeqësisht orientohet në interesimet e tyre nëse ndaj Hashim Thaçit apo ndonjë komandanti tjetër të luftës do të ketë aktakuzë. Por askush nga ky tabor nuk e tha një rresht se qindra serbë të dyshuar po ecin lirshëm, po veprojnë madje edhe me deklarata publike. Askush nuk merret me ta. Pse? Sepse interesimi është i pakët për t`u marrë me këtë kategori.
Asnjëherë s`kam heshtur dhe nuk do të hesht. Nuk do të pajtohem, të paktën jo me dëshirë, që një shqiptar që e ka mbrojtur pragun e shtëpisë, edhe nëse ai ishte me uniformë, të akuzohet e gjykohet para një paramilitari serb, para një dhunuesi që ka emër e mbiemër. Të dyshuarit eventualë nga pala kosovare duhet t`i gjykojmë e dënojmë vetë, para se të gjykohen nga të tjerët.
Ende mendoj dhe shpresoj se dëshmitarët e gjallë i duhen drejtësisë, i duhen Kosovës dhe institucioneve të saja për t`u mbrojtur karshi propagandës serbe. Dëshmitarët posedojnë rrëfime autentike, rrëfime të gjalla, përshkrime të tmerrshme, kanë prova, kanë incizime në memoriet e tyre.
Apeli im është që t`i duam këta njerëz, t`u japim guxim e fuqi që të deponojnë dëshmi në prokurori e gjykata. Madje edhe të paguhen, nëse është nevoja, sepse dëshmia e tyre s`ka çmim për drejtësinë.